English

Kuvendi Diskuton Rreth Disa Ndryshimeve Në Ligjin "Për Arsimin E Lartë"

TIRANË, 22 Korrik/ATSH/.- Kuvendi vijon punimet e seancës së sotme plenare me diskutimin e disa ndryshimeve në ligjin "Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë". Sipas ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj ndryshimet në këtë ligj garantojnë thellimin e reformave dhe ndihmojnë në përshtatjen e ligjit me problematikën e hasur gjatë zbatimit në praktikë. Tafaj theksoi se drafti i paraqitur i është nënshtruar një debati gjithëpërfshirës me studentë dhe pedagogë, me të cilët është diskutuar për ciklet e studimit dhe sfidat. Lidhur me autonominë në universitete ai tha se ky proces në Shqipëri është në nivele reale, duke pasur parasysh kushtet e vendit. Lidhur me të drejtat e studentëve dhe nivelet e krediteve, Ministri i Arsimit sqaroi se dispozitat kalimtare të parashikuara në projektligj ofrojnë zgjidhje që bëjnë të mundur që asnjë përpjekje dhe asnjë orë mësimi e kryer të mos shkojë dëm për asnjë student. Seanca e sotme plenare, e nisur rreth orës 10:30 të paradites, u përfshi që në fillim të saj nga debati, pas kërkesës së opozitës për heqjen nga rendi i ditës së p/ligjit "Për disa ndryshime në ligjin "Për Shërbimin Informativ Shtetëror". Deputetët e PS-së këmbëngulën për mosshqyrtimin sot të p/ligjit, pasi sipas tyre më parë drafti duhej të konsultohej me ndërkombëtarët. Me qëndrimin e opozitës u bashkua dhe kryetari i LSI-së, Ilir Meta, njëkohësisht zv/kryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme, i cili kërkoi që Kuvendi të mos nxitohej në miratimin e draftit, pa u konsultuar më parë me ekspertizën e NATO-s. Pas debatit që zgjati mbi dy orë, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli pranoi nxjerrjen nga rendi i ditës të p/ligjit për SHISH, duke i dhënë 24 orë kohë opozitës të njihet me relacionin e komisionit parlamentar të Sigurisë Kombëtare, ku të majtët nuk kanë qënë të pranishëm. Në orët e drekës parlamenti i ndërpreu punimet, pasi ndoqi drejtpërdrejt nga salla e Kuvendit shpalljen e vendimit nga GJND për pavarësinë e Kosovës. /a.s/f.n/
KOMENTE