Kuvendi I Shqipërisë Përshëndet Vendimin E Gjnd-Së Për Kosovën
TIRANË, 22 Korrik/ATSH/.- Kuvendi i Shqipërisë përshëndeti sot shpalljen e vendimit nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë për pavarësinë e Kosovës.
Kryeparlamentarja Jozefina Topalli, në emër të Kuvendit, përshëndeti këtë vendim që siç e cilësoi ajo "është i jashtëzakonshëm".
"Pavarësia e Kosovës, për të cilën kemi punuar të gjithë bashkë gjatë të gjithë kësaj periudhe, është e pakthyeshme. Falënderoj të gjithë ato vende që e kanë njohur Kosovën dhe e kanë mbështetur atë në këto periudha të vështira për rajonin dhe, në mënyrë të veçantë, për shqiptarët.
Ky është një vit i jashtëzakonshëm për të gjithë shqiptarët, për shqiptarët në Kosovë, për shqiptarët në Shqipëri, për shqiptarët kudo që janë. Unë ju falënderoj për çdo gjë që ju keni bërë në mbrojtje të Kosovës, kudo që keni shkuar, për çdo përpjekje", u shpreh Topalli duke iu drejtuar deputetëve të pranishëm në sallë./a.s/