Shkodër, 22 Korrik, NOA – Kishte mbjellë kanabis në parcelën e tij private në mënyrë të fshehtë, por është konstatuar për këtë nga forcat e policisë, të cilat e kanë arrestuar menjëherë.
Fjala është për 40-vjeçarin me emrin Gazmend Gështenja, banues në fshatin Venilaj të Shkodrës, arrestimi i të cilit u bë pasi në bazë të informacioneve të marra ndaj tij në rrugë operative, ishte konfirmuar se ai kultivonte lëndë narkotike.
Kështu, siç raportohet për agjencinë e Lajmeve NOA, gjatë kontrollit të ushtruar nga ana e policisë, në një parcelë të tokës bujqësore në pronësi të tij, atij iu gjendën të mbjella 271 rrënjë bime narkotike e llojit kanabis sativa, të cilat u asgjësuan me anë të djegies.
Nga ana e policisë u kryen veprimet e duhura proceduriale dhe hetimore, ndërsa materialet në ngarkim të të lartpërmendurit iu kaluan prokurorisë së Shkodrës për veprën penale “Kultivim i lëndëve narkotike”.
n.e/NOA