English

Meta:Nuk Do Të Ketë Krisje Të Koalicionit, Kjo Është Qeveria E Integrimit

TIRANË, 22 Korrik/ATSH, A.Gegvataj /- "Nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë lloj krisje të koalicionit sepse kjo qeveri është pagëzuar si e integrimit me qëllim forcimin e perspektivës europian dhe euroatlantik të Shqipërisë", deklaroi sot zv.kryeministri dhe ministri i Jashtëm Ilir Meta. I ftuar në një emision televiziv, zv.kryeministri dhe kryetari i LSI-së Ilir Meta theksoi se "në qëndrimet tona nuk dalim kundër dikujt, por thjesht kemi mendimet dhe qëndrimet tona". Duke iu referuar çështjes për projektligjin të SHISH, Meta e cilësoi si të domosdoshëm rishikimin e tij. "Është i nevojshëm rishikimi i këtij ligji pasi është i vjetër dhe duhet të respektojë dhe përshtatet më mirë edhe në raport me Kushtetutën dhe zhvillimet sepse tashmë Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe do të bëhet një vend anëtare e BE-së". Sipas tij, rishikimet e ligjit për SHISH duhet të behën në konsultim të ngushtë me NATO duke e argumentuar qëndrimin e tij me faktin se "një prioritet madhor i NATO-s dhe i Shqipërise është lufta kundër terrorizmit ku bashkëpunimi në fushën e shërbimeve inteligjente është një prioritet shumë i rëndësishëm dhe shumë sensibël". Kreu i LSI-së nënvizoi se "përcaktimi i një mandati dhe për drejtuesin e SHISH është një vlerësim demokratik dhe jo e kundërta". Në lidhje me vendimin e GJND-së për ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës, shefi i diplomacisë shqiptare deklaroi se "ky vendim rrëzoi të gjitha pretendimet e serbëve dhe legjitimiteti i Kosovës është i qartë". Ai nënvizoi se marrëdhëniet e reja të bashkëpunimit Shqipëri-Serbi kanë ndikuar për të çtensionuar marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe serbëve në Ballkan". "Shqiptarët dhe serbët janë janë dy kombe që kanë rol të madh për të ardhmen e këtij rajoni dhe për të përshpejtuar integrimin në BE këtë e bëjnë vetëm duke bashkëpunuar," tha zoti Meta./ch/
KOMENTE