Ndërtimet Në Tiranë, A I Plotësojnë Parametrat Sizmike?
- Kushtet teknike dhe sizmike që duhet të plotësojnë ndërtuesit janë përcaktuar në rregulloren e vitit 1989. Por, a duhet të ndryshojnë këto kritere? -
TIRANË, 22 Korrik /ATSH- Gjergji Mima/ - Për qëndrueshmërinë e ndërtesave aktualisht nuk mund të flitet me siguri të plotë. Sipas specialistëve, kryeqyteti paraqet njëfarë rregulli dhe është më i kontrolluar. Pas tij vjen qyteti i Durrësit, ndonëse shumë gjëra nuk janë në vendin e tyre.
Ndërkohë, në qytete të tjera, leja sizmiologjike kujtohet vetëm në raste tërmetesh. Specialistët theksojnë se pas kaosit të ndërtimeve të pas viteve '90, situata duket se po shkon drejt një rruge të mirë, pavarësisht se ka ende shumë për të bërë. Gjithsesi në raste lekundjesh të forta, më të qetë janë ata që banojnë në ndërtesa të ulta.
Në Bashkinë e Tiranës gjendet harta sizmiologjike për pallatet deri në shtatë kate, për të cilat mund të flitet me garanci. Aktualisht, studimi sizmiologjik është i detyrueshëm e duhet të shoqëroje lejen e ndërtimit.
Sizmiologët thonë se, "në pjesën më të madhe të vendit, nuk janë bërë studime të reja sizmike, ndaj është e nevojshme të përpilohen kushtet e reja teknike për ndërtuesit". Sipas drejtorit të Departamentit të Sizmologjisë dhe Inxhinierisë Sizmike, Llambro Duni, "ka mbi 20 vjet që janë përcaktuar rregullat e ndërtimit. Përsa i përket aspektit sizmik edhe Tirana hyn në vendet sizmike, ndaj nuk këshillohen ndërtesat e larta.
Por, ai shpreh si domosdoshmëri hartimin e studimeve të reja sizmike. Dino thotë se duhet të ndryshojë edhe metodologjia që përdoret për përcaktimin dhe më pas vlerësimin e një termeti. Kjo ka vetëm një qëllim, forcimin e rregullave për ndërtuesit, që të kemi godina sa më rezistente ndaj termeteve, pasi siç dihet, ato nuk mund të ndalohen.
"Pallatet e ndërtuara gjatë 20 viteve të fundit plotësojnë standartet teknike dhe sizmike të percaktuara në kushtin teknik të vitit 1989. Ky kusht teknik, por edhe harta sizmike e hartuar në vitin 1980, të cilës i referohen ndërtuesit edhe gjatë ditëve të sotme duhet të ndryshojë. Duhet të kemi parasysh që në pjesën më të madhe të vendit, nuk janë bërë studime. Duhet të përpilojmë kushtin e ri teknik të vendit për ndërtimet anti-sizmike", shprehet përgjegjësi i Departamentit të Sizmiologjisë dhe Inxhinierisë Sizmike, Llambro Duni.
Sipas një studimi të fundit të Universitetit të Kalifornisë në SHBA, rezulton se Tirana është në listën e qyteteve që mund të preken nga lekundjet sizmike gjatë 40 viteve të ardhshme. Tërmeti mendohet të jete i shkallës 6-7 Rihter.
Sipas specialistëve, ndërtimet në Tiranë duhet të jenë të qëndrueshme për të përballuar tërmete deri në 7 balle. "Standarti aktual për Tiranën percakton disa kategori ballësh, nga 7 në 7 e gjysmë deri në 8 ballë, në varësi të karakteristikave të trojeve ku është ndërtuar", shton Duni.
Sizmiologët kërkojnë ndryshimin e metodologjisë dhe të standarteve, në mënyrë që të kemi një vlerësim të ri dhe përcaktim të kushteve bashkëkohore për ndërtimin e objekteve të qëndrueshme. /a.ke/