Tiranë, 22 Korrik, NOA - Ministria e Turizmit dhe ambasada e Mbretërisë së Spanjës prezantojnë guidën e parë për vendin tonë të publikuar në Spanjë, me titull “Shqipëria” e botuar në Spanjë dhe e shkruar nga 2 profesorë të njohur në fushën e historisë, gjeografisë dhe sociologjisë, prof. Eladi Romero dhe prof. Salvador Martinez.
Botimi, me informacionin që përmban në 74 faqet e tij, nxjerr në pah historinë dhe kulturën e pasur të Shqipërisë dhe shqiptarëve e përmban shumë informacion të shoqëruar me foto dhe imazhe mbi gjeografinë, historinë, natyrën, zakonet dhe zhvillimet e fundit demografike e shoqërore në vend.
Realiteti i sotëm shqiptar ofron për vizitorët e huaj tre Qendra të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s të cilat plotësohen nga trashëgimia jashtëzakonisht e vlefshme kulturore shpirtërore, siç janë tradita e këngës iso-polifonike, dizenjo të njohura tekstilesh, dhe lidhjet ekzemplare kulturore ndërmjet besimeve (Xhamitë, vendet myslimane, Kishat Ortodokse dhe Katolike, manastiret, Teqet e Bektashinjve), muret Bizantine, gjurmët e qytetërimit Romak dhe qytetërimeve të tjera të gjitha këto dëshmojnë për pikat e takimit ndërmjet popujve dhe civilizimeve të ndryshme, dhe për një histori të pasur e të ndryshme kulturore e cila ka evoluar përgjatë më shumë se tre mijëvjeçarëve.
n.e/NOA