Përmbledhje - Iran - Be Arrin Marrëveshje Lidhur Me Përmbajtjen E Sanksioneve
BRUKSEL, 22 korrik /ATSH-AFP/ - Vendet e Bashkimit Evropian arritën sot një marrëveshje lidhur me përmbajtjen e sanksioneve të përforcuara kundër Iranit që synojnë veçanërisht sektorin energjetik, për shkak të programit të tij të kundërshtuar bërthamor, njoftoi AFP-në një burim diplomatik.
"Dokumenti për masat kufizuese kundër Iranit u miratua gjatë një mbledhjeje të ambasadorëve të 27 vendeve të BE-së në Bruksel që u mbajt gjatë ditës", vazhdoi ky burim.
Për të hyrë juridikisht në fuqi, masat e reja, që shkojnë përtej sanksioneve të votuara së fundi në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, pritet ende të marrin miratimin zyrtar nga ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian të hënën në Bruksel.
Një fakt i ri në krahasim me sanksionet e mëparshme: ato synojnë veçanërisht sektorin strategjik të Teheranit, industritë e gazit dhe naftës.
Parashikohet të ndalohen investime të reja, asistenca teknike dhe transferimet e teknologjive dhe shërbimet e lidhura me këto sektorë, sidomos për rafinimin dhe shndërrimin në gjendje të lëngët të gazeve.
Irani, prodhuesi i katërt më i madh në botë i naftës bruto, importon deri 40 për qind të benzinës, nuk ka kapacitete rafinimi të saj për të plotësuar kërkesën e tij të brendshme.
Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë, ka theksuar në një raport se sanksionet ndërkombëtare pritet të zvogëlojnë importin shumë të nevojshëm të benzinës dhe produkteve të tjera të naftës drejt Iranit dhe se do të prekin dukshëm në një afat të gjatë zhvillimin e industrive të gazit dhe naftës.
Sanksionet evropiane, për të cilat është arritur një marrëveshje në parim më 14 qershor, kufizojnë shumë mundësitë për shkëmbime tregtare me Iranin dhe zgjerojnë gamën e bllokimeve të të ardhurave për një numër më të madh bankash iraniane.
Goditet edhe sektori iranian i transporteve, sidomos kompania detare IRISL dhe degët e saj. Më në fund janë marrë masa shtesë për kufizimin e dhënies së vizave dhe për ngrirjen e pasurive të anëtarëve të Korpusit së gardianëve të revolucionit, ushtria ideologjike e regjimit iranian.
"Këto sanksione janë çuditërisht të ashpra, ato shkojnë shumë më larg nga ato të votuara në OKB", shprehet Mark Fitzpatrick, specialist i çështjes bërthamore iraniane në Institutin ndërkombëtar për studime strategjike në Londër.
"Për herë të parë Irani do të përballet me sanksione që do të kenë një pasojë të ndjeshme në ekonom", shton ai. Sipas tij, kjo nuk do të jetë e mjaftueshme për ta detyruar Iranin të heqë dorë nga programi i tij bërthamor, "por kjo mund t'i japë atij arsye të rikthehet në tavolinën e bisedimeve, sepse në të kaluarën, Irani gjithmonë ka bërë lëshime kur ka qenë nën presion", komentoi Fitzpatrick.
Kjo është e gjitha iniciativë evropiane. Një projektdeklaratë e ministrave të Jashtëm evropianë, një kopje të së cilës e siguroi AFP-ja, "konfirmon angazhimin e BE-së për të punuar në favor të një zgjidhjeje diplomatike".
"Ajo i kërkon Iranit të caktojë një datë konkrete për një rifillim të bisedimeve me gjashtë fuqitë e ngarkuara me çështjen bërthamore iraniane (grupin 5+1: Shtetet e Bashkuara, Rusia, Kina, Franca, Britania e Madhe dhe Gjermania). Ky takim mund të zhvillohet në shtator.
Dyshohet se nëpërmjet programit të tij të pasurimit të uraniumit, Teherani po përpiqet të pajiset me armën atomike. Ai e mohon këtë duke u shprehur se ka vetëm objektiva civile.
/I.Pu.