Reportazh/ Vlore: Ne Bregdet, Turiste Nga Gjithe Evropa
VLORË, 22 korrik/ATSH-H.Koçi/.- Zeljko, një 46 vjeçar nga Zagrebi (Kroaci) ka zgjedhur bregdetin e Vlorës për të kaluar disa ditë të pushimeve verore. Me autoveturën e tij dhe bashkëshorten u nis para pesë ditësh nga kryeqyteti kroat, drejt Shqipërisë, pasi kishte mësuar pak gjëra për bregdetin e jugut dhe bukuritë e tij.
Fillimisht zgjodhi Sarandën, ku kaloi tre ditë dhe më pas, vijoi udhëtimin përgjatë bregdetit, në Himarë dhe Vlorë ku mendon të qëndrojë dy ditë.
"Më ka bërë për vete natyra e bukur dhe kthjelltësia e detit, që i kam shijuar gjatë këtyre ditëve. Kam shkuar në plazhe mjaft të bukura, kam konsumuar ushqim të shijshëm me prodhime deti dhe mishin e pjekur të qengjit. Keni gjëra të bukura, një natyrë të bukur dhe mbi të gjitha një bregdet që mund të tërheqë mjaft turistë", thotë 46 vjeçari me profesion inxhinier.
Zeljko është një nga ata qindra turistë të huaj, që kanë mbërritur në Vlorë gjatë këtyre ditëve. Ata vijnë nga vende të ndryshme, nga Mali i Zi, Çekia, Greqia, Gjermania, Franca, Polonia, Kosova, Maqedonia, Bosnje Hercegovina, nga Hollanda, ndërsa turistët nga Italia, veçanërisht të jugut tashmë janë bërë të zakonshëm në Vlorë. Pjesa më e madhe e tyre mbërrijnë këtu me autoveturat personale.
Por mjaft të tjerë vijnë përmes paketave që ofrojnë shoqëri të ndryshme turistike. Akomodohen në hotele të ndryshme, si "Regina", "Platinum", "Olimp", por edhe në banesa private. Veçanërisht turistët që vijnë nga Italia, preferojnë të marrin një banesë me qera në bregdet, pavarësisht nga çmimi për të kaluar disa ditë pushimesh.
Bujari, pronari i një banese në një pallat të ri në afërsi të Ujit të Ftohtë, thotë se, klientë të tij janë një çift bashkëshortësh nga Leçe, që e kanë prenotuar apartamentin për 10 ditë kundrejt një çmimi prej 40 mijë lekësh.
"Ata janë të kënaqur për pozicionin e apartamentit dhe komoditetin e tij, por dhe unë fitoj", thotë Bujari.
Në fakt, kjo praktikë që bëhet gjithmonë e më e shpeshtë po merr dimensione të reja n Vlorë, pasi në këtë periudhë, dhjetra banesa në afërsi të bregut të detit jepen me qera për pushues vendas dhe të huaj. Kjo ka bërë që vlera e qerasë të rritet, por në rritje është edhe numri i atyre që përfitojnë nga ky biznes.
Ndërkaq, zinxhiri turistik vijon me lokalet dhe plazhet e sistemuara ku ofrohen çadra e shezlonë. Në plazhin afër vendit të emërtuar "Kalaja", çmimi arrin në 500 lekë për dy shezlonë dhe çadër.
"Nuk më mbetet asnjë, madje në ditë të caktuara veçanërisht në fundjavë, nuk arrij t'i plotësoj të gjitha kërkesat, ku një pjesë janë të huaj", thotë Genci, menaxheri i plazhit ndër më të bukurit në këtë bregdet./a.ke/