English

Rusi - Moti I Nxehtë Shkatërron 20 Për Qind Të Kulturave

MOSKË, 22 korrik /ATSH-AFP/ - Rreth 10 milionë hektarë kultura janë shkatërruar tashmë nga thatësira në Rusi, gjë që përbën rreth 20 për qind të kulturave në vend, njoftoi sot Ministrja ruse e Bujqësisë, Elena Skrynnik për valët e radios Echo të Moskës. "Situata është më e vështirë se vitin e kaluar, sipërfaqet e mbjella janë shkatërruar në një hapësirë prej 10 milionë hektarësh, gjë që përbën 32 për qind të të gjitha sipërfaqeve të mbjella në 23 rajone ku është shpallur gjendja e jashtëzakonshme", deklaroi Skrynnik. Ajo shtoi se kjo përbën rreth 20 për qind të të gjitha sipërfaqeve të kultivuara në Rusi. Të 23 rajonet në gjendje të jashtëzakonshme ndodhen kryesisht në pjesën evropiane të Rusisë, që ka rajonet "çernoziom" (toka të zeza mjaft pjellore). Autoritetet ruse i rishikuan me rënie parashikimet për të korrat për vitin 2010, në 85 milionë tonë drithëra kundrejt 95 milionë që priten deri tani. Në vitin 2009, të korrat e drithërave arritën në 97 milionë tonë. Rusia është një nga eksportuesit kryesorë në botë e drithërave. /I.Pu.
KOMENTE