Shënim - Gjnd Jep Mendimin Për Pavarësinë E Kosovës
HAGË, 22 korrik /ATSH-MIA/ - Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, që përfaqëson
gjykatën e nivelit më të lartë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, do të publikojë sot
pasdite opinionin këshillimor lidhur me ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008.
Rasti u dërgua në gjykatë përmes Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, që me shumicë votash mbështeti kërkesën e Serbisë.
Mendimi i GJND-së nuk është i detyrueshëm, ka vetëm fuqi këshilluese, por ekspertët besojnë se mund të ndikojë në masë të konsiderueshme në rajon dhe në situata të ngjashme në botë.
Dhjetorin e kaluar kjo gjykatë dëgjoi argumentet e përfaqësuesve të rreth 30 shteteve.
Vende si Kina, Rusia e Spanja e kundërshtuan shpalljen e pavarësisë së Kosovës edhe para GJND-së.
Nga ana tjetër, Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishin në krye të vendeve që mbështetën pavarësinë e Kosovës.
Një numër vendesh të Bashkimit Evropian, por dhe shtete si Kroacia e Sllovenia, të dala nga shpërbërja e ish-Jugosllavisë mbështetën shtetin e Kosovës para drejtësisë ndërkombëtare.
Në seancën e sotme në Hagë do të jenë të pranishëm edhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni dhe homologu i tij serb Vuk Jeremiç.
Ky i fundit ka deklaruar në prag të vendimit të sotëm se qëndrimi i Serbisë ndaj Kosovës nuk do të ndryshojë.
Jeremiç ka theksuar se Beogradi do ta çojë çështjen në vjeshtën e ardhshme në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.
Udhëheqësit më të lartë të Kosovës dhe ekspertët kosovarë të së drejtës ndërkombëtare vlerësojnë se pavarësia është e pakthyeshme, pavarësisht vendimit të GJND-së.
Ky mendim është formuluar dhe nga drejtues të lartë të SHBA-së dhe ekspertë
ndërkombëtarë./
a.jor.