English

Shqiperi-Greqi: Diskutohet Për Rritjen E Eficencës Në Sistemin Financiar

-Guvernatori i BSH-së, Ardian Fullani, zhvillon një vizitë pune në Bankën e Greqisë- TIRANE, 22 Korrik /ATSH/- Bashkërendimi i politikave mbikëqyrëse dhe rregullatore, në interes të forcimit të stabilitetit dhe rritjes së eficiencës së sistemeve financiare respektive, ishte tema kryesore në takimin që Guvernatori i Bankës se Shqipërisë, Ardian Fullani, zhvilloi këto ditë në Athinë me homologun e tij grek, George A. Provopoulos. Burime nga Banka e Shqipërisë bënë të ditur sot se, gjatë këtyre takimeve, Guvernatori Fullani dhe Guvernatori Provopoulos diskutuan mbi zhvillimet e fundit ekonomike dhe financiare në Shqipëri e Greqi, aspektet e përbashkëta dhe veçantitë dalluese të tyre në të dy vendet, si dhe ecurinë e pritshme të këtyre zhvillimeve në të ardhmen. Të dy guvernatorët ndanë mendimin se politikat ekonomike dhe masat strukturore të ndërmarra kohët e fundit do të ndihmojnë në zhvillimin e qëndrueshëm dhe afatgjatë të ekonomive respektive. Sipas tyre, e rëndësishme është monitorimi i kujdesshëm i aktivitetit ekonomik dhe vlerësimi i vazhdueshëm i përshtatshmërisë së politikave ekonomike kundrejt tyre. Në veçanti, vëmendje e veçantë gjatë kësaj vizite iu kushtua shkëmbimit të informacionit dhe të opinioneve mbi ecurinë e grupeve bankare e financiare që operojnë në dy vendet tona. Ata theksuan gjithashtu se shkëmbimet e vazhdueshme financiare ishin në interesin e ndërsjelltë të të dy vendeve dhe, si të tilla, ato duhet të mirëpriten dhe të inkurajohen edhe më tej. Rritja e shkëmbimeve financiare lehtësohet më tej nga fakti se grupet bankare e financiare, të cilat operojnë njëkohësisht në të dy vendet tona, karakterizohen nga tregues të kënaqshëm dhe në përmirësim të likuiditetit e kapitalizimit. Në përfundim të vizitës, të dy Guvernatorët ranë dakord që këto takime të vijojnë me kontakte të vazhdueshme në nivel teknik e vendimmarrës midis Bankës së Shqipërisë dhe Bankës së Greqisë. Vizita e Guvernatorit Fullani në Bankën e Greqisë realizohet në kuadër të bashkëpunimit të vazhdueshëm midis dy bankave, duke vijuar kështu praktikën e konsoliduar tashmë të shkëmbimit periodik të informacionit, analizave dhe vlerësimeve mbi çështje të ndryshme ekonomike dhe financiare me interes të ndërsjellë. Ky proces është pjesë e Memorandumeve të Mirëkuptimit të nënshkruara midis institucioneve respektive në funksion të koordinimit të masave e politikave mbikëqyrëse dhe rregullatore. /a.ke/
KOMENTE