Sport-Merkato/ Futbollistët E Kombëtares Në Qendër Të Merkatos Verore
TIRANË, 22 Korrik/ ATSH - Gjergji Mima/ - Sulmuesi i kombëtares shqiptare, Erjon Bogdani ka nënshkruar për ekipin e Serisë A italiane, Çezena.
"Dashi i ajrit", siç e përshkruajnë mediat italiane sulmuesin gjigant shqiptar, nuk pati sezone të shkëlqyera në dy vitet e fundit, por ai do të jetë një përforcim i dobishëm për trajnerin Fikadenti.
Në sezonin 2004-2005, me Fikadentin në bankinën e Veronës, Bogdani bëri sezonin e tij më të mirë në karrierën e tij në Itali, duke shënuar 18 gola në 38 takime në Serinë B.
Te Çezena në sezonin 2002-2003 ka luajtur edhe Florjan Myrtaj, autor i 12 golave kur skuadra italiane ndodhej në Serinë C.
Ndërkohë sulmuesi shqiptar Edgar Cani do të luajë sezonin e ardhshëm te Modena në Serinë B italiane. Skuadra që e ka në pronësi sulmuesin shqipetar, Palermo, ka rënë dakort me drejtuesit e Modenës për të dhënë hua lojtarin për një sezon. Sezonin e kaluar Cani u huazua te Padova dhe Piacenza. Te Padova ai shënoi 2 gola në 19 ndeshje ndërsa te Piacenza pati nje paraqitje më të mirë me 4 gola në 13 ndeshje.
Lorik Cana e fitoi "betejën" te Gallatasaraji për të marrë bluzën me numër 19. Ndërkohë që australiani Kjuell do të mbajë numrin 99. Cana ka deklaruar gjithmonë se numri 19 është numri i fatit për të. Këtë numër ka pasur edhe te Paris Sën Zhermeni, Marseja dhe te Sandërlendi në Angli.
Sulmuesi shqiptar Edmond Kapllani shënoi në fitoren 14-0 të Augsburgut në miqësoren kundër TSV Bobingen, pikërisht në 100-vjetorin e klubit modest gjerman. Kapllani luajti vetëm pjesën e parë.
Trajneri i skuadrës së Hanoverit Mirko Slomka ka qenë i kenaqur nga paraqitja e mesfushorit të Kombetares së Shqipërisë Elis Bakaj, i cili luajti në pjesën e dytë në takimin Hanover-Crvena Zvezda 2-3.
"Paraqitja e tij më ka pëlqyer më tepër gjatë ndeshjes së sotme sesa gjatë stërvitjeve", u shpreh Slomka, trajneri i Hanoverit pas ndeshjes, i cili shtoi se ai do ta vëzhgojë Bakajn edhe në ditët në vazhdim dhe shpreson që shqiptari të ruajë gjendjen e mirë dhe të vazhdojë paraqitjen pozitive dhe impresionuese, ndryshe nga dy shqiptarët e tjerë në skuadër.
"Mesfusha është pika më e dobët aktualisht dhe Bakaj mund të na ndihmoje, duke patur parasysh edhe dëmtimin e Lales si dhe gjendjen jo shumë të mirë që po kalon shqiptari tjetër Milaim Rama", u shpreh trajneri i Hanoverit për mediat./n.m/