English

Të menduarit e GjND-së

Ky mendim këshillues i GjND-së në favor të Kosovës gjithsesi duhet të shfrytëzohet për t’i kundërshtuar thirrjet e Serbisë për negociata të reja për Kosovën. Kosova duhet ta konsolidojë veten përbrenda dhe jo të bëhet pjesë e kontestimeve që i bëhen nga jashtë

Nga Albin Kurti

Më parë sesa që Kosova fitoi 10 me 4, është Serbia ajo që humbi 4 me 10. Kosova as që ka dashur të ketë një proces të këtillë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Shqiptarët e Kosovës duan ta shohin Serbinë të paditur në ndonjë gjyq ndërkombëtar për krejt çfarë ajo iu bëri atyre përgjatë shekullit XX, e jo të jetë shpallja e pavarësisë së Kosovës aty.

Okupimi i Kosovës më 1912, mandej kolonizimi, diskriminimi e deri te gjenocidi në vitet 1998 e 1999, janë krime për të cilat asnjëherë nuk pati drejtësi e zhdëmtim për popullin e Kosovës.

Në tetor të vitit 2008, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së e kishte ftuar GjND-në ta japë mendimin e vet këshillues mbi atë nëse shpallja e njëanshme e pavarësisë nga ana e institucioneve të përkohshme të vetëqeverisjes së Kosovës ishte në përputhje me ligjin ndërkombëtar.

Mirëpo, fillimisht ajo dha një sërë mendimesh paraprake që ndërtonin kontekstin e përgjigjes përfundimtare në pyetjen e shtruar nga Serbia. GjND-ja radhazi shprehu qëndrimet e saj që nuk ka pse të mos e jep një mendim për këtë çështje, që nuk ka ndalesë të përgjithshme në ligjin ndërkombëtar për të shpallur pavarësinë, që Rezoluta 1244 dhe Korniza Kushtetuese janë pjesë të ligjit ndërkombëtar, se ata që e shpallën pavarësinë nuk e konsideronin veten, thjesht, njerëz të IPVQ-ve, se heshtja e PSSP-së atëbotë e konfirmonte këtë gjë, se KS i OKB-së në bazë të R1244 nuk e kishte të rezervuar të drejtën për përcaktimin e statusit të Kosovës, dhe se, përfundimisht, as R1244 e as Korniza Kushtetuese nuk e ndalonte nxjerrjen e deklaratës së pavarësisë.

Përvoja na mëson që sa më i lartë niveli i gjykatës, aq më konservative është ajo. Madje, gjykatat e larta ndërkombëtare kujdesen sidomos për veten e tyre – ato brengosen se çka mund t’iu ndodhë vetë atyre nga qëndrimet që i marrin.

Mbase kjo është arsyeja pse pothuajse të gjithë ekspertët juridikë ndërkombëtarë, e për pasojë edhe ata vendas, thoshin që do të ketë një mendim të paqartë e të ndërlikuar të GjND-së.

Mirëpo, ajo që dëgjuam të enjten pasdite ishte më parë një interpretim dhe mendim liberal e pozitiv sesa konservativ i gjykatës sipas logjikës se çka nuk thuhet që ndalohet, lejohet.

E, ndoshta, kishim edhe situatën ku më shumë gjykatës kanë menduar që një mendim i paqartë do të diskreditonte gjykatën si një institucion i dobët sesa një mendim çfarë patëm.

Ky mendim i GjND-së do të ketë ndikime të shumta për Kosovën, nga përmirësimi i përshtypjes së opinionit publik ndërkombëtar për ne e deri te rritja e numrit të njohjeve të pavarësisë.

Mirëpo, nuk duhet entuziazmuar shumë meqë ky mendim sigurisht se nuk do ta ndryshojë gjendjen brenda Kosovës në kuptimin e sovranitetit, integritetit territorial, demokracisë apo zhvillimit ekonomik.

Megjithatë, mendimi këshillues i GjND-së mbase është po aq i rëndësishëm për botën sa për Kosovën. Janë dy lloj shtetesh që janë më së shumti të brengosura me këtë rast. Bile, mund të thuhet që në njëfarë mase ky mendim këshillues u bë i rëndësishëm për Kosovën pikërisht pse ishte aq i rëndësishëm për shumë shtete të botës.

Së pari, me antena të ngritura lart ishin shtetet që brenda vetes kanë regjione me popuj që duan shkëputje si p.sh. Spanja, Kina, India etj. Këto shtete frikësohen se mos qëndrimi i GjND-së për Kosovën do të mund t’i inkurajonte sadopak popujt e shtypur në këto shtete që po ashtu duan pavarësi.

Pra, këto shtete kanë hall se mos mendimi këshillues i GjND-së do t’i ‘këshillojë’ për ndonjë gjë nënshtetasit rebelë të tyre dhe jo nëse ky mendim do të mund t’i këshillonte Kosovën a Serbinë për diçka. Arsyeja pse këto shtete ishin të interesuara për mendimin e GjND-së është e njëjtë me arsyen kryesore pse ato nuk e njohën pavarësinë e Kosovës tash dy vjet e gjysmë.

Së dyti, kemi shtetet që e kanë mbështetur dhe koordinuar shpalljen e pavarësisë së Kosovës me 17 shkurt 2008. Të tilla janë ShBA-të, Britania e Madhe, Franca, Gjermania etj.

Këto shtete provuan përgjatë muajve të pranverës së vitit 2007 që ta kalojnë një rezolutë të re në KS të OKB-së, në vend të R1244, e cila do ta bënte Kosovën me pavarësi të mbikëqyrur. Mirëpo, pa sukses: Rusia e bënte aq të qartë përdorimin e saj të vetos në rast të prezantimit të një rezolute të re saqë nuk erdhi fare puna deri te votimi. Pas katër muajve shtesë të negociatave u pat përgatitur shpallja e pavarësisë për të cilën konsiderohej që R1244 nuk është më pengesë.

Bëhej fjalë për një lëvizje të dyfishtë – në njërën anë, u shpall një pavarësi pa sovranitet real por, në anën tjetër, edhe u riinterpretua ca R1244. Kjo është arsyeja pse për këto shtetet e llojit të dytë ishte shumë i rëndësishëm një mendim i GjND-së të tillë çfarë e patëm. Ato patjetër e dëshironin legalizimin e kësaj doze të riinterpretimit të R1244.

Ky mendim këshillues i GjND-së në favor të Kosovës gjithsesi duhet të shfrytëzohet si argument shtesë për t’i kundërshtuar thirrjet e Serbisë për negociata të reja për Kosovën. Kosova duhet ta konsolidojë veten përbrenda dhe jo të bëhet pjesë e kontestimeve që i bëhen nga jashtë.

(*) Dërguar nga autori

KOMENTE