Tiranë, 22 Korrik, NOA – Forcat e policisë së Tiranës kanë bërë të mundur arrestimin në flagrancë të 4 personave, të cilët për motive të dobëta janë tentuar të vriten mes njëri tjetrit me pistoletë.
Ngjarja konfirmohet prej tyre për agjencinë e Lajmeve NOA, duke saktësuar se të ndalurit janë Artur Tresa, 24 vjeç; Roland Hoxha, 26 vjeç; Astrit Malaj, 28 vjeç dhe Emiljano Boçi, 25 vjeç; që të gjithë banues në Tiranë.
Arrestimi i tyre u bë sepse dje në Selitë, në momentet e para të grindjes, Emiljano Boçi, në bashkëpunim me Roland Hoxhën, kanë tentuar të vrasin Astrit Malajn, i cili është plagosur dhe aktualisht ndodhet në Spitalin Ushtarak Tiranë jashtë rrezikut për jetën.
Nga e kryera e veprimeve hetimore, rezultoi se Emiljano Boçi, ishte person i shpallur në kërkim pasi gjykata e Tiranës e ka dënuar me masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale të parashikuar nga nenet 79/dh/22 e 278/2 i Kodit Penal.
Ndërkohë, u sekuestrua në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë e si edhe tre gëzhoja pistolete, kurse materialet hetimore të përpiluara në ngarkim të tyre, iu kaluan prokurorisë së Tiranës për veprën penale të parashikuar nga neni 76/22 e 278/2 i Kodit Penal.
n.e/NOA