Uashington, 22 Korrik, NOA - E ardhmja e Kosovës është e sigurt në NATO dhe Bashkimin Evropian, është shprehur nënpresidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xho Bajden, gjatë një takimi me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi.
Duke i rikonfirmuar në të njëjtën kohë mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara për një Kosovë të pavarur, demokratike, të pandarë dhe shumë-etnike.
Ndër të tjera, Bajden përshëndeti përparimin që ka bërë qeveria e Kosovës për të zbatuar reformat të rëndësishme, përfshirë hapat për të forcuar shtetin ligjor dhe integrimin e suksesshëm e komuniteteve të pakicës, si edhe nënvizoi nevojën për vazhdimësinë e këtyre përpjekjeve.
Nga ana e tij, në pritjen e organizuar në Shtëpinë e Bardhë, kryeministri i Republikës së Kosovës, shprehu konsideratën dhe mirënjohjen më të lartë për kontributin që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dhënë në procesin e çlirimit dhe pavarësimit të Kosovës, si dhe tani në procesin e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe të përparimit të gjithëmbarshëm.
Thaçi, me këtë rast, ritheksoi qëndrimin e qeverisë së Kosovës dhe të popullit të Kosovës për raporte të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. n.e/NOA