Vendimi I Gjnd-Së Për Pavarësinë E Kosovës, Tërësisht I Merituar
- Kryeministri Berisha uron Presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiu -
TIRANË, 22 Korrik/ATSH/- Kryeministri Sali Berisha ka uruar Presidentin e Kosovës Fatmir Sejdiu për vendimin e dhënë sot nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND), e cila njohu ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës.
"Kjo është një ditë shumë e madhe për të gjithë Ballkanin, për shqiptarët e të gjithë Ballkanit. Është një ditë e bekuar. Ky është një vendim i shkëlqyer dhe i merituar, është shpërblimi dhe mirënjohja më e madhe për sagën dhe përpjekjet e popullit të Kosovës, udhëheqjes së saj, është një ditë e madhe në historinë e së Drejtës Ndërkombëtare", është shprehur Kryeministri Berisha gjatë një bisede telefonike me Presidentin Sejdiu, menjëherë pas vendimit të shpallur nga GJND.
Siç bëri të ditur zyra e shtypit e qeverisë së Shqipërisë, Berisha e ka cilësuar vendimin e GJND-së, një vendim tërësisht të merituar, me një qartësi të kristaltë, me një argument të hekurt dhe një kontribut madhor për paqen në rajon dhe më gjerë.
"Gjykata sanksionoi, hodhi poshtë, traktatet e padrejta mbi shqiptarët dhe njohu të drejtën e tyre", e ka përfunduar bisedën Kryeministri Berisha, duke përshëndetur me këtë rast dhe gjithë qytetarët e Kosovës. /k.sh/