Zhvendosja E Shatërvanit Të Vitit 1923, Baçe: Nuk Ka Vlera Historike Apo Arkitektonike Të Veçanta
TIRANË, 22 Korrik/ ATSH- Suada Daci/- Zhvendosja nga lulishtja përpara Kuvendit e shatërvanit të ndërtuar në vitin 1923, erdhi si rezultat i një studimi të kontestuar për rikonstruksionin e rrugës para Kalasë së Tiranës.
Një vendim i ministrisë së Kulturës, propozuar nga Instituti i Monumenteve, e ka hequr atë nga lista e monumenteve 1 muaj me parë për t'i lëne rrugë të lire realizimit të projektit prej 1.2 milione eurosh për rehabilitimin e shëtitorës para Parlamentit.
Drejtori i Institutit të Monumenteve, Apollon Baçe, tha një një prononcim për ATSH-në se, " ky objekt nuk rezulton si monument kulture, pasi nuk ka ndonjë vlerë arkitekturore ose historike të vecantë".
Sipas tij, "kjo pjesë i nënshtrohet rregullimit në bazë të projektit të bërë nga një firmë greke, me fondet e Bashkimit Europian dhe këto fonde janë në dispozicion të Bashkisë së Tiranës".
"Ne ndërgjegjen time nuk ndjej ndonjë gjë për heqjen e këtij shatërvani, meqënëse ai përbehet nga dy pjesë, hausi me diametër diku te 5 metra, por dhe pjesa mesit me beton dhe hausi, është një ndërtim shumë i vonë, mendoj që është i viteve '70", thotë Baçe. Ai shton se, "pjesa e betonit është hequr dhe do të vihet tek një shatervan tjetër që është bosh, i cili që është përpara Akademisë së Shkencave, ku qëndron shumë më mirë sesa në vendin tjetër, ngaqë është një vendi i vizitueshëm e i kalueshëm".
"Mua më vjen keq që mediat e bënë një problem të madh, thotë Baçe. Unë nuk mund të them që gjendja e monumenteve është e shkëlqyer për arsye objektive dhe subjektive, por nga ana tjetër, në rast se do të bëhej fjalë për një monument që ka rëndësi, atëherë edhe unë nuk do isha dakort më këtë gjë".
Ai vlerësoi se, "ky është një monument kulture, i cili është futur në mënyrë abuzive dhe që ne e kemi hequr një muaj më parë".
Drejtori i Institutit të Monumenteve, Apollon Baçe, pohoi se, "unë shoh se kemi të bëjme një politizim të kësaj çështje dhe nuk do të doja kurrë që të fillohet të bëhet një politizim me monumentet e kulturës".
I pyetur në lidhje me protestën që u zhvillua sot nga shoqëria civile për mbrojten e monumenteve të kulturës, Baçe tha se, "ata njerëz janë ekuivalentët e mi kohë më parë, të cilët duhet të përgjigjen mirë për ato që kanë bërë vete".
Teksa anëtarë të shoqërisë civile rendisin disa vlera historike për këtë shatërvan, Baçe thote se, "ky monument është shpallur i tillë vetëm në vitin 2007", duke aluduar se, "është shumë e dyshimtë shpallja e tij monument".
- Historiku i krijimit të shatërvanit -
Shatërvani u ndërtua në vitin 1923, në kuadër të ndërtimit të Lulishtes Popullore. Në dokumentet e kohës përcaktohet se Lulishtja ishte 2700 m2 dhe kushtoi 8000 franga.
Impianti i shatërvanit dhe baseni i tij, janë rikostruktuar dhe restauruar disa herë gjatë historisë, veçanërisht në vitet '40 gjatë pushtimit italian, në vitet '50 në stilin neoklasik sovjetik dhe në vitet '70 kur baseni origjinal u vesh me mozaik xhami.
Shatërvani bashkë me lulishten mbetën të patrazuar për gati treçerek shekulli, derisa në vitet '90 u rrethuan me kioska.
Në vitin 2000, me rastin e shpalljes së qendrës së Tiranës "Ansambël Monumental", edhe shatërvani u vu nën mbrojtje. Ndërsa në vitin 2002, shatërvani u rrezikua nga zgjerimi i rrugës përpara Komunitetit Mysliman. Meqenëse trotuari prekte basenin e tij, zgjidhja u gjet duke devijuar rrethimin në atë pjesë të lulishtes për ta lënë të paprekur basenin.
Në vitin 2003, në kuadër të rikuperimit dhe sistemimit të lulishtes, ai u restaurua tërësisht nga Bashkia, duke i vënë në punë edhe sistemin e ujit.
Në vitin 2007, shatërvani me propozim të Institutit të Monumenteve të Kulturës dhe miratim të Ministrit të Kulturës, u shpall Monument Kulture.
Në kuadër të mbrojtjes së trashëgimisë kulturore, nga ana e Komunitetit Europian u dha një grant prej rreth 2 milione euro me këtë destinacion. /a.ke/