English

Arrestohen në flagrancë dy të dyshuar duke tentuar të vjedhin një veturë

Bashkëpunimi me qytetarë mundësoi arrestimin në flagrancë të dy të dyshuarve

Prishtinë, 23 Korrik 2010 NOA - Njësia patrulluese e stacionit policor “Jugu” në Prishtinë, ka bërë arrestimin e dy personave të dyshuar kosovar të nacionalitetit serb pasi që të njëjtit janë kapur në flagrancë në tentativë për ta vjedhur një veturë.

Fillimisht policët kanë marrë informatën nga një qytetar i cili i ka vërejtur dy persona duke tentuar që ta vjedhin veturën, veturë kjo e tipit Golf –V- ngjyrë hiri me targa KS e cila ishte e parkuar afër Qendrës tregtare në Bregun e Diellit.

Pas marrjes së informatës, njësitë patrulluese policore të stacionit policor “Jugu” në një koordinim të planifikuar mirë së bashku me njësitë patrulluese të stacionit policor “Qendra” janë vënë në ndjekje të personave të dyshuar.

Dy të dyshuarit, pasi që kanë vërejtur policinë kanë tentuar të ikin nga vendi i ngjarjes mirëpo nuk e kanë arritur një gjë të tillë pasi që janë identifikuar nga ana e policisë në afërsi të fakultetit teknik në Bregun e Diellit.

Gjatë ikjes njëri nga të dyshuarit ka pësuar lëndime trupore dhe i njëjti është dërguar në QKUK për trajtim mjekësor me ç’ rast i njëjti është hospitalizuar në klinikën ortopedike.

I dyshuari i dytë pas intervistimit me urdhër të prokurorit është dërguar në qendrën e ndalimit.

Ndërkohë në vend ngjarje kanë dalë Njësia e Hetimeve dhe krim-teknikës e Stacionit Policor Jugu, dhe pas kompletimit te rastit është bërë edhe konfiskimi i veturës “Golf-V” që ishte cak i vjedhjes së dy të dyshuarve si dhe vetura e të dyshuarve Mercedes ngjyrë hiri me targa KS.

Duke folur mbi ngjarjen, Policia e Kosovës tha se falënderon të gjithë qytetarët për bashkëpunim të mirëfilltë dhe për kontributin e tyre në luftimin e dukurive negative në vend.

a.b/NOA

KOMENTE