Prishtinë, 23 Korrik, NOA – Vetëm një ditë pas vendimit pozitiv për Kosovën nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, ky vend është tronditur nga lajmi i rëndë i vënies në pranga të guvernatorit të Bankës Qendrore të tij.
Ngjarja e sapokonfirmuar nga mediat kosovare, konfirmon se që nga ora 06:00 e mëngjesit të ditës së sotme, oficerët e Policisë së Kosovës kane arrestuar guvernatorin e BQK-së, Hashim Rexhepi.
Ndërkaq, ato bëjnë me dije se forcat e policisë kosovare, të cilat janë në të njëjtën kohë pjesë e grupit “Task Force” kundër Korrupsionit, kanë bastisur shtatë lokacione, përfshirë banesat private të katër të dyshuarve, zyrat e Bankës Qendrore të Kosovës si dhe një kompani private.
Bastisjet janë autorizuar nga gjykatësi i procedurës paraprake i EULEX-it nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë.
Në njoftimin përkatës të EULEX-it rreth këtij aksioni, thuhet se këto bastisje janë të ndërlidhura me një hetim financiar dhe për korrupsion ku dyshohet për keqpërdorim të detyrës apo pozitës zyrtare, marrje të ryshfetit, shmangie të tatimit, ushtrim të ndikimit dhe pastrim parash.
Këto hetime i konfirmuan edhe zyrtarë të Bankës Qendrore të Kosovës, ndërsa bënë të ditur se hetimet po zhvillohen edhe në lokacionin e zyrtares për mbikëqyrje financiare Shkëndije Hima.
Ky arrestim i bujshëm dhe këto bastisje mbërrijnë vetëm pak javë pasi forcat e Policisë së Kosovës dhe EULEX-it u dyndën edhe në zyrat e ministrisë së Transporteve, si edhe në shtëpinë e ministrit Fatmir Limaj.
n.e/NOA