English

Ashton: Pas Pavarësisë, Serbia Dhe Kosova Të Nisin Dialogun

TIRANË, 23 Korrik/ATSH-A.Gegvataj/- Menjëherë pas shpalljes së ligjshmërisë për pavarësi të Kosovës nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë, Bashkimi Europian i ka bërë thirrje Serbisë dhe Kosovës të nisin dialogun. Duke ju referuar faqes së internetit të "Deutsche Welle", e ngarkuara për punë të jashtme e BE-së, Catherine Ashton, duke përshëndetur vendimin e shpallur pasditën e së enjtes, ka deklarur se "BE-ja do të angazhohet për pajtim mes Serbisë dhe Kosovës". Shefja e diplomacisë europiane ka theksuar se "ky dialog do të promovonte bashkëpunim, do të arrinte progres në rrugën europiane si dhe do ta përmirësonte jetën e njerëzve". Po sipas "Deutsche Welle", vendimi i GJND-së për pavarësi të Kosovës, është përshëndetur nga ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Guido Westerwelle, i cili është shprehur se "tani ka ardhur koha e një politike të dialogut". "Ky vendim do të thotë që pavarësia e Kosovës dhe integriteti territorial i saj më nuk mund të kontestohen", ka theksuar Westerwelle. Shefi i diplomacisë gjermane ka deklaruar se "deri tani kemi pasur një proces juridik, ndërsa tani e tutje e ka radhën politika dhe dialogu për përmirësimin e gjendjes së njerëzve dhe raporteve mes këtyre vendeve pasi Serbia dhe Kosova duhet ta dinë se e ardhmja e tyre është në Evropë". GJND-së bëri publik dje mendimin këshilldhënës, sipas të cilit shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ishte në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, apo Rezolutën 1244 të KS të OKB-së. Kosova shpalli pavarësinë me 17 shkurt të vitit 2008, ndërsa pavarësinë e saj e kanë njohur deri tani 69 shtete. /f.n/
KOMENTE