Londër, 23 Korrik, NOA – Me dhënien e vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, u mbyll edhe debati për statusin e Kosovës.
Ky ka qenë reagimi i mbërritur nga Britania e Madhe mbi mendimin këshillë-dhënës të dhënë dje nga Haga, ndërsa e ka përshëndetur atë dhe ka ftuar vendet që nuk kanë njohur Kosovën të bëjnë një gjë të tillë.
““Procedura ligjore para GJND-në ka përfunduar. Kjo do të thotë edhe fund i debatit për statusin e Kosovës. Ajo funksionon si shtet i pavarur dy vjet e gjysmë. Inkurajojmë të gjitha vendet që të njohin pavarësinë e Kosovës. Kosova është rast unik dhe nuk paraqet precedent”, ka deklaruar ministri i Jashtëm britanik, Uilliam Haig.
Sipas tij, Britania e Madhe fuqishëm beson se statusi i Kosovës si shtet me territorin e definuar në kufijtë e tashëm, paraqet forcë pozitive stabiliteti për Ballkanin Perëndimor.
Më tej, Haig ka bërë me dijeni se vendi i tij fton Kosovën dhe Serbinë të shfrytëzojnë rastin që të pajtohen dhe të bëhen fqinjë të mirë.
“Kosova dhe Serbia duhet të përqendrohen në etapat e ardhshme në përparimin drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, përfundon deklarata e diplomacisë britanike.
n.e/NOA