Fusha E Aviacionit- Ministria E Mbrojtjes: Ps Të Flasi Me Fakte
TIRANË, 23 Korrik/ATSH/- Deklaratat e Partisë Socialiste për privatizimin e pronave në fushën e Aviacionit janë të pabazuara në fakte dhe nuk përmbajnë asnjë të vërtetë, reagoi sot përmes një deklarate për shtyp Ministria e Mbrojtjes (MM).
Kjo ministri deklaroi se, "nuk ka iniciuar asnjë procedurë privatizimi për prona në këtë zonë dhe ftojmë Bashkinë e Tiranës, të nxjerrë ekspertë të saj për të ofruar fakte konkrete", tha zedhenesja e MM, Brikena Arapaj.
Këshilli i Ministrave me vendimin nr 2, datë 04.08.2006 ka miratuar ndryshimin e një sipërfaqeje prej 5.5 hektarë nga zonë e vecantë në zonë të gjelbër, vendim i cili ngarkon për zbatim Bashkinë e Tiranës.
"Kjo sipërfaqe toke është duke u përdorur aktualisht nga Bashkia e Tiranës dhe si rrjedhojë deklaratat e Partisë Socialiste bëhen tërësisht të pakuptimta", thuhet në deklaratë, sipas të cilës, të gjitha pronat që i kanë kaluar Ministrisë së Ekonomisë janë të publikuara në faqen zyrtare të Ministrisë së Mbrojtjes./e.gj//a.ke/