Hyseni: Marredhëniet E Mira Me Serbinë, Interes I Përbashkët Për Integrim Në Be E Nato
PRISHTINË, 22 Korrik /ATSH- Behlul Jashari/.- Opinioni i djeshëm i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, (GJND) tregoi qartë se pavarësia e Kosovës nuk ka krijuar asnjë precedent dhe se është në interes të Ballkanit Perëndimor, deklaroi ministri i Jashtëm kosovar Skënder Hyseni në një intervistë për ATSH.
"Opinioni këshilldhëns i GJND-së, tregoi qartë se pavarësia e Kosovës, nuk ka krijuar asnjë precedent dhe se është në interes të Ballkanit Perëndimor", tha ministri Hyseni, në intervistë telefonike nga Haga.
Ministri Hyseni ishte dje i pranishëm kur GJND dha mendimin këshillimor në lidhje me pavarësinë e Kosovës. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë u shpreh dje në favor të pavarësisë së Kosovës. Presidenti i GJND-së Hiasashio Ovada deklaroi se pavarësia nuk shkel të drejtën ndërkombëtare.
Shefi i diplomacisë kosovare tha se "ne e dimë që Kosova dhe Serbia e kanë të ardhmen e tyre në BE dhe NATO, e për këtë arsye marrëdhëniet e mira fqinjësore janë të domosdoshme".
Ai nënvizoi se "këtë fakt, e kemi përcaktuar qartë prej kohësh, tani është në dorën e Serbisë që të tregohet në nivelin e përgjegjësive të duhura".
Hyseni vuri në dukje se "nga vendimi i GJND-së, nuk ka asgjë që do të mund linte mundësi sado të vogla që të hidheshin dilema rreth shtetësisë së Republikës së Kosovës.
Ministri pohoi se normalizimi i raporteve Kosovë-Serbi varet ekskluzivisht nga Serbia.
"Kemi shprehur vullnetin për raporte të mira fqinjësore me Serbinë, sikurse i kemi ndërtuar me të gjithë fqinjët e tjerë por ky rast është interes i përbashkët", tha ai.
Hyseni rithekson faktin se me Beogradin nuk do të ketë bisedime për statusin e Kosovës, ndarje apo shkëmbim territoresh, ide rreth të cilave është spekuluar muajt e fundit.
"Kosova dhe Serbia janë fqinjë të përhershëm dhe si të tillë, sot apo nesër, pas një kohe apo pas shumë kohësh, do duhet të bisedojnë për çështje të natyrës praktike që i lidhin këto vende të pavarura dhe sovrane", tha Hyseni.
Ministri i Jashtëm kosovar, Skënder Hyseni, u shpreh i sigurt se do të ketë njohje të reja për Kosovën pasi ka një numër vendesh që janë zotuar për këtë ndërsa u bëri thirrje shteteve që nuk e kanë njohur ende, e veçanërisht atyre vendeve që kanë pritur opinionin këshill dhënës të GJND-së, që ta bëjnë këtë sa më parë.
Kosova shpalli pavarësinë në 17 shkurt 2008 dhe deri tani është njohur nga 69 shtete. /ch/