Beograd, 23 Korrik, NOA – Serbia duket se jo vetëm që nuk e ka pranuar disfatën e kërkesës së saj për gjykimin e pavarësisë së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, por nuk do të ndalet as më tej në ndërmarrjen e nismave kundër saj.
Këtë e ka pohuar vetë ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiç, sipas të cilit, Serbia do të nisë një ofensivë diplomatike për të fituar mbështetje për rezolutën e saj mbi Kosovën në Asamblenë e Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
"Aktiviteti ynë diplomatik në javët e ardhshme do të jetë shumë intensiv", u ka thënë Jeremiç gazetarëve në Beograd.
"Në më pak se 48 orë, të dërguarit e posaçëm të presidentit Tadiç do të shkojnë në 55 shtete, ndërsa 40 vende të tjera do të kontaktohen në nivelin e ambasadorëve, për të lobuar kundër njohjes së pavarësisë së Kosovës", ka thënë Jeremiç. n.e/NOA