English

Kosovë - Arrestohet Guvernatori I Bankës Qendrore

PRISHTINË, 23 Korrik /ATSH-B.Jashari/ - Prokuroria Speciale të Kosovës ka autorizuar arrestimin dhe paraburgimin e Guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës, pas bastisjeve të kryera, njoftoi sot EULEX . Media njoftoi nga vendi i ngjarjes se guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Hashim Rexhepi, është parë duke dalë i prangosur nga zyra e tij. Më parë EULEX njoftoi se që nga ora 06:00 e mëngjesit oficerët e Policisë së Kosovës që janë pjesë e Task Forcës Kundër Korrupsionit, kanë bastisur shtatë objekte, përfshirë banesat private të katër të dyshuarve, ndër të cilat edhe ajo e Guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës, zyrat e Bankës Qendrore të Kosovës si dhe një kompani private. Këto bastisje janë të ndërlidhura me një hetim financiar dhe për korrupsion ku dyshohet për keqpërdorim të detyrës apo pozitës zyrtare, marrje të ryshfetit, shmangje të tatimit, ushtrim të ndikimit dhe larje të parave. Bastisjet janë autorizuar nga gjykatësi i procedurës paraprake i EULEX-it nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë. /gj.m/f.n/
KOMENTE