English

Kosovë- Franca Do T'I Inkurajojë Shtetet Ta Njohin Pavarësinë E Kosovës

PRISHTINË, 23 Korrik /ATSH-B.Jashari/.- Franca do t'i inkurajojë shtetet ta njohin pavarësinë e Kosovës, tha Pierre Lellouche, Sekretar i Shtetit Francez për Çështje Evropiane, i cili ka mbërritur për vizitë në Prishtinë sot, një ditë pas vendimit të GJND-së. Ai theksoi se nuk është rastësi që ndodhej në Kosovë, pikërisht në këtë kohë, pas vendimit të GJND-së, vendim i cili do të ndikojë shumë në raportet e Francës me Kosovën dhe se gjatë kësaj vizite ai do të takojë edhe pjesëtarë të komuniteteve në Graçanicë. Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu, priti z. Pierre Lellouche, Sekretar i Shtetit Francez për Çështje Evropiane, të cilin e falënderoi në emër të popullit dhe të institucioneve të Republikës së Kosovës, për mbështetjen e vazhdueshme që Republika Franceze i ka dhënë dhe po i jep Kosovës. Presidenti Sejdiu u shpreh se "Franca, bashkë me vendet kyçe të Bashkimit Evropian, ka qenë dhe mbetet pjesë e zhvillimeve tona historike", duke ritheksuar qëndrimin e institucioneve të vendit, se "Kosova do të jetë atdhe i barabartë i të gjithë qytetarëve të saj, pa dallim etnie". Më tej, Sejdiu e njoftoi z. Pierre Lellouche me zhvillimet e përgjithshme dhe arritjet e Republikës së Kosovës, në kuptimin e zhvillimit ekonomik të vendit, të bashkëpunimeve bilaterale dhe për synimin e institucioneve të Republikës së Kosovës për të pasur bashkëpunim shumë të mirë, në radhë të parë me shtetet fqinje, pra edhe me Republikën e Serbisë. "Me Republikën e Serbisë nesër dhe të bisedojmë për të gjitha çështjet që janë në interes të qytetarëve të dy vendeve sovrane", konfirmoi Sejdiu. "Ne do t'i inkurajojmë edhe shtetet e tjera, të cilat ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës që ta bëjnë këtë sa më parë. Do të punojmë së bashku për fazën e re politike të pajtimit në mes të Kosovës dhe të Serbisë", deklaroi Lellouche. Shteti i Francës, së bashku me vendet e tjera të Bashkimit Evropian ka kontribuar gjatë luftës në ish-Jugosllavi dhe vijon të kontribuojë me prezencën e ushtarakëve dhe në fusha të tjera, për paqen e cila është e domosdoshme në këtë rajon dhe për stabilizimin e këtij rajoni. /e.gj//a.ke/
KOMENTE