Kosove - Grupi Drejtues Nderkombetar Rikonfirmon Mbeshtetjen E Palekundur Per Pavaresine E Pakthyeshme Te Kosoves
S
PRISHTINË, 23 Korrik /ATSH-B.Jashari/.- Në një deklaratë të anëtarëve të Grupit Drejtues Ndërkombëtar për mendimin këshillues të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, rikonfirmohet mbështetjetja e palëkundur për pavarësinë e pakthyeshme të Kosovës dhe bëhet thirrje për njohje.
Grupi Drejtues Ndërkombëtar mirëpret mendimin këshillues të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) për pyetjen e deklarimit të pavarësisë së Kosovës.
"Grupi Drejtues Ndërkombëtar rikonfirmon mbështetjen e palëkundur të tij për pavarësinë e pakthyeshme të Kosovës demokratike dhe shumetnike në kufijtë e saj të tanishëm dhe i bën thirrje shteteve tjera që të njohin Kosovën. Ai po ashtu përshëndet përkushtimin e vazhdueshëm të Kosovës dhe progresin e konsiderueshëm në zbatimin e Propozimit Gjithëpërfshirës për Statusin dhe do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në punën për realizimin e perspektivës së saj evropiane", theksohet në deklaratën e dhënë mbrëmë në Prishtinë.
Më tej vlerësohet se "mendimi këshillues i GJND-së është një mundësi e rëndësishme që Republika e Kosovës dhe Republika e Serbisë të fillojnë një fazë të re në marrëdhëniet e tyre". "Grupi Drejtues Ndërkombëtar shpreson që të ketë dialog të sinqertë, konstruktiv dhe me respekt mes Serbisë dhe Kosovës, si shtete të pavarura dhe sovrane, për të identifikuar dhe zgjidhur çështjet praktike me interes të përbashkët, në të mirë të qytetarëve të të dyja vendeve. Grupi Drejtues Ndërkombëtar e përshëndet gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për t'u angazhuar mbi këtë bazë, duke besuar se një dialog dhe bashkëpunim i tillë është në të mirë të stabilitetit afatgjatë të rajonit dhe integrimit evropian", përfundon deklarata.
Grupi Drejtues Ndërkombëtar (ISG) për Kosovën, i përbërë nga vendet që e kanë njohur pavarësinë, është formuar më 28 shkurt të vitit 2008 dhe synon të orientojë dhe mbikëqyrë zhvillimin demokratik të Kosovës, të nxisë qeverisjen e mirë dhe shumetnicitetin, bazuar në Paketën Ahtisaari. /a.ke/