Kosovë - Kuvendi I Miraton Deklaratë Për Aprovimin E Opinionit Të Gjnd
PRISHTINË, 23 Korrik /ATSH-B.Jashari/.- Kuvendi i Republikës së Kosoves miratoi të premten një deklaratë për aprovimin e opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe zotohet për respektimin e tij.
"Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, me profesionalizëm të lartë dhe paanshmërisht ka rikonfirmuar respektimin e të drejtës ndërkombëtare me rastin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, duke i dhënë vulën e ligjshmërisë vullnetit të shprehur të qytetarëve të Kosovës dhe të drejtës së tyre për vetëvendosje," thuhet në deklaratë.
"Kuvendi i Republikës së Kosoves shpreh bindjen se vendimi historik i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, do t'i kontribuojë paqes dhe stabilitetit, jo vetëm në Republikën e re të Kosovës, por në gjithë rajonin tonë, sepse Kosova do të jetë e përkushtuar fuqishëm të respektojë të drejtën ndërkombëtare, të ndjekë besnikërisht politikat e bashkëpunimit, të fqinjësisë së mirë dhe mirëkuptimit e dialogut," vazhdon deklarata.
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë u shpreh dje në favor të pavarësisë së Kosovës. Presidenti i GJND-së Hiasashio Ovada deklaroi se pavarësia nuk shkel të drejtën ndërkombëtare.
Kuvendi, u bën thirrje, "shteteve që kanë hezituar ta njohin" Kosovën" që ata njohin atë "në emër të paqes e zhvillimit, në emër të marrëdhënieve të mira e miqësore midis Kosovës dhe popullit të saj me vendet dhe popujt e botës, në emër të së drejtës legjitime të Kosovës për të qenë anëtare e denjë e familjes së madhe të Kombeve të Bashkuara".
Kosova shpalli pavarësinë në 17 shkurt 2008 dhe deri tani është njohur nga 69 shtete.
Sipas deklaratës, Kuvendi i Kosoves përshëndet ftesën e djeshme të Bashkimit Evropian për fillimin e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë./ch/