Kosovë - Thaçi Në Shba, Vizitë Falënderimi Ekipit Ligjor Të Departamentit Të Shtetit
PRISHTINË, 23 Korrik /ATSH-B.Jashari/ - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në vizitën zyrtare në SHBA vizitoi sot ekipin ligjor të Departamentit të Shtetit dhe i falënderoi ata në emër të Qeverisë dhe popullit të Kosovës për angazhimin e jashtëzakonshëm dhe punën kolosale në prezantimin e rastit të Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.
"Dje fitoi drejtësia. Dua t'ju falenderoj në emër të qeverisë dhe popullit tim për një prezantim dinjitoz dhe bindës të argumenteve për ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës"¸ theksoi me këtë rast kryeministri Hashim Thaçi, bëhet e ditur nga zyra e tij.
Përfaqësuesi ligjor i Departamentit të Shtetit, z. Harold Hongju Koh, nga ana e tij, shprehu kënaqësinë për përmbylljen me sukses të procesit në GJND në favor të drejtësisë dhe argumenteve të ofruara.
Vizita e ekipit ligjor të Departamentit të Shtetit u realizua para nisjes së kryeministrit Thaçi për t'u kthyer në Prishtinë nga vizita zyrtare në SHBA. /gj.m/