English

Kuvendi i Kosovës: BE të unifikohet për pavarësinë

Prishtinë, 23 korrik, NOA - Kuvendi i Kosovës miratoi sot një deklaratë ku shpreh mbështetjen e vendimit të GJND-së, i cili sanksionoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk shkeli të drejtën ndërkombëtare.

“GJND-ja me profesionalizëm të lartë dhe paanshmëri ka rikonfirmuar respektimin e së drejtës ndërkombëtare me rastin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës duke i dhënë vulën e ligjshmërinë vullnetit të shprehur të qytetarëve të Kosovës dhe të së drejtës së tyre për vetëvendosje”, thuhet nw deklaratën e Kuvendit, e cila u lexua nga kryetari, Jakup Krasniqi.

Në deklaratë thuhet se “vendimi historik i GJND-së do t’i kontribuojë paqes dhe stabilitetit jo vetëm të Republikës së Kosovës, por tërë rajonit”.

Përmes deklaratës, Kuvendi ka falenderuar vendet mike të Kosovës, si dhe ka shprehur gatishmërinë për të filluar bisedimet praktike me Serbinë, ashtu siç kishte kërkuar një ditë më parë BE-ja.

Ndërkohë, Kuvendi i Kosovës i bëri thirrje BE-së që të unifikohet sa më parë në lidhje me Kosovën, ndërsa nga shtetet që kanë hezituar, kërkoi që ta njohin sa më parë shtetin më të ri.

NOA

KOMENTE