English

Ligji Antimafia, vendimi: Ja si do të përdoren dhe tjetërsohen pasuritë e krimit

Tiranë, 23 Korrik, NOA – Në kuadrin e zbatimit të ligjit Antimafia, për goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit përmes masave parandaluese kundër pasurisë, Këshilli i Ministrave vendosi që procedurave, të parashikuara në këtë vendim, do t’i nënshtrohen të gjitha pasuritë e konfiskuara me vendim gjykate.

Në këtë kuadër, urdhërohet Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, brenda 90 ditëve nga data e njoftimit të vendimit gjyqësor të konfiskimit, i paraqet ministrit të Financave raportin e vlerësimit tekniko-financiar, për pasurinë e konfiskuar.

Pastaj, kjo agjenci ua përcjell vendimin e gjykatës institucioneve përgjegjëse për regjistrimin e pasurive dhe këto institucione bëjnë kalimin e pronësisë në emër të saj.

Ndërsa Komiteti Këshillimor Ndërinstitucional i Ekspertëve për Masat Kundër Krimit të Organizuar, në bazë të raportit tekniko-financiar dhe të nevojave të institucioneve të zbatimit të ligjit, në mbledhjen e radhës, bën rekomandimet për mënyrën e përdorimit të pasurive të konfiskuara, të cilat ia paraqet ministrit të Financave.

Ndërsa ky i fundit, në bazë të rekomandimeve të këtij Komiteti, vendos për dhënien në përdorim ose tjetërsimin e pasurive të konfiskuara, si dhe jep udhëzime konkrete për destinacionin, mënyrën dhe kushtet e përdorimit të pasurive.

n.e/NOA

KOMENTE