English

Ligji I Arsimit Të Lartë- Kacani: Ndryshimet Të Rëndësishme

TIRANË, 23 Korrik/ATSH/- Rektori i Universitetit Politeknik, Prof. Dr. Jorgaq Kacani, gjykon se ndryshimet e miratuara në Ligjin aktual të Arsimit të Lartë, janë shumë të rëndësishme, "pasi ato jo vetëm unifikojnë diplomat shqiptare me ato europiane, për nga përmbajtja cilësore dhe titujt, por bëjnë dhe sistemin e seleksionimit, duke dalluar studentët më të mirë". Matura Shteterore, sipas Kacanit, është një proces seleksionimi për të gjithë kandidatët që pretendojnë të futen në universitet. Sistemi i përzgjedhjes vijon edhe kur studentët mbarojnë Bachelor-in, për në studimet Master shkencor apo profesional. Kacani theksoi se, "ndryshimet që iu bënë ligjit të Arsimit të Lartë nuk e cënojnë aspak autonominë e universiteteve, madje çdo strukturë përbërëse e instutucioneve forcohet duke marrë rolin përkatës". Ndryshimet e fundit të miratura në këtë ligj, janë kryer në disa drejtime si, skema e studimeve, decentralizimi i vendimmarrjes, departamentet, politikat e personelit, menaxhimi i institucioneve të arsimit të lartë dhe të bashkëpunimit midis autoriteteve dhe organeve kolegjiale. Ligj i Arsimit të Lartë hyri në fuqi në maj të vitit 2007. Periudha 3-vjeçare e zbatimit të këtij ligji është vlerësuar si një periudhë gjatë së cilës është realizuar një reformë e thellë në sistemin e arsimit të lartë shqiptar. Kjo reformë ka prekur të gjitha aspektet e këtij sistemi, në mënyrë të veçantë strukturën e studimeve dhe përmbajtjen e tyre, në përputhje me standardet e Bolonjës. Titullarët e universiteteve janë zgjedhur me vote të drejtpërdrejtë të profesoratit dhe të studentëve. Është rritur autonomia e universitete si në planin institucional, financiar, ndërsa arsimi i lartë privat është zhvilluar me shpejtësi. Sistemi sot paraqitet tërësisht ndryshe në planin sasior dhe cilësor. Kjo reformë e thellë u shoqërua dhe me liberalizimin e pranimit të studentëve në universitete. Sot ka gati 3 herë më shumë studentë se në vitin 2004. Pas një konsultimi të gjerë me Konferencën e Rektorëve, Këshillin e Arsimit të Lartë dhe Shkencës, profesoratin dhe studentë të universiteteve publike dhe private, iu propozua Këshillit të Ministrave një paketë ndryshimesh që synon të thellojë reformën e nisur./e.gj//a.ke/
KOMENTE