Shkup, 23 Korrik, NOA – Kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi në një konferencë për shtyp deklaroi se vendimi i djeshëm i Gjyqit Ndërkombëtar të Drejtësisë në mënyre afirmative për shpalljen e pavarësisë së Kosovës është një akt fondamental i historisë së re që i pret shqiptarët dhe që e pret Ballkanin.
“Padyshim se është vërtetim i luftës së drejtë historike të shqiptarëve për liri dhe pavarësi, po të njëjtën kohë është edhe një kontribut i jashtëzakonshëm drejt paqes dhe stabilitetit në rajon. Ri me shpresë se Serbia do të arrijë përfundimisht të bindet se duhet përfundimisht ti stabilizoj raportet me shtetin e Kosovës dhe me gjithë shqiptarët”, theksoi Thaçi.
Kreu i PDSH-së, Menduh Thaçi ka folur edhe për rastin Haradinaj, për të cilin Tribunali i Hagës vendosi rigjykim të pjesërishëm.
“Aspekti i dytë për të cilin dua të flas është rikthimi në gjykim i pjesërishëm për Haradinaj nga ana e Tribunalit të Hagës, është një akt i cili na befasoi të gjithëve edhe pse nuk kemi aspak dyshime se Haradinaj do të arrijë që ta fiton këtë betejë si shumë beteja të tjera. Normalisht çështjet janë të lidhura Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë luftën e shqiptarëve në Kosovë e shpalli të drejt, dhe lufta e drejtë nuk mund të ketë fajtor, Haradinaj bën pjesë në bërthamën e kombit shqiptar”, u shpreh Thaçi.
Ai tha se të tillë njerëz ka shumë pak, sjelljet e tija pa diskutim gjatë luftës e sidomos tani i bëjnë gjithë shqiptarët faqebardhë, krenar dhe me nderë.
“Të gjithë ne shqiptarët edhe ata dje që kanë festuar dhe janë gëzuar dua ti përkujtoj se festat, gëzimet dhe buzëqeshjet tona kanë një burim, dhe ato burime janë lotët, djersët dhe gjaku i shumë shqiptarëve dhe familjes Haradinaj që na mundësoi të jemi shumë të disponuar dhe të gëzuar”, shtoi ai.
Thaçi sërish deklaroi se largimi sa më i shpejt nga skena politike i Bashkimit Demokratik për Integrim, siç e quajti ai grup të hipotekuar të inkriminuar, do të hapë rrugën e vërtetë të realizimit të qëllimeve politike të shqiptarëve.
NOA-INA