English

Nis edicioni i parë i Festivalit “Divani Lunxhiot” në Dhoksat të Lunxhërisë

Tiranë, 23 korrik 2010 NOA / E.Serjani - Grupe dhe artistë popullorë nga gjithë Shqipëria, nga Greqia dhe Kosova po marrin marrë pjesë në edicionin e parë të veprimtarisë kulturore “Divani Lunxhiot” organizuar nga Komuna e Lunxhërisë në rrethin e Gjirokastrës, shoqata kulturore-atdhetare “Lunxhëria” me mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe sporteve.

Festivali zhvillohet nga 22 deri në 24 korrik 2010 zhvillohet në Dhoksat të komunës së Lunxhërisë edicioni i pare e Festivalit “Divani Lunxhiot”.

Sipas kryetarit të komunës Ilia Kuro në tri ditët e këtij festivali janë 13 ansamble, artistikë, grupe muzikore dhe polifonike, orkestra popullore tradicionale, që do të shfaqen vlerat e foklorit të tyre autentik në skenën e ngritur poshtë hijes së Rrapit gjigant të Doksatit.

Në natën e parë të festivalit “Divani Lunxhiot”, të enjten në mbrëmje në skenë u ngjitën artistët e grupit popullor “Argjiro” nga qyteti i Gjirokastrës, “Birbili” nga Vlora, “Gurra” nga Gjilani i Kosovës, grupi polifonik i të moshuarve të Lunxhërisë dhe orkestrina popullore e sazeve të Kolonjës.

Mbrëmë në natën e dytë prezantuan vlerat e tyre autentike ansambli artistik “Dropulli”, grupet popullore vllahe të “Andon Poçit” nga Komuna e Odries dhe grupi i valleve “Qefallovriso” nga Greqia dhe fyelltari nga Mallakastra Fatmir Malaj.

Sonte në natën e tretë dhe të fundit të edicionit të parë të këtij festivali do të japin koncert grupi popullor “Oda divrane” nga Peshkopia, ansambli popullor “Perama” nga Janina (Greqi) dhe grupi njohur polifonik “Ergjëria” i qytetit të Gjirokastrës.

Festivali folklorik “Divani Lunxhiot” do ta mbyllë koncerti i ansamblit artistik “Lunxhëria” me një program ku përfshihen disa nga perlat e folklorit lirik lunxhiot, këngë dhe valle tradicionale, ndërkohë që ky koncert përmbyllës do të shoqërohet me një prezantim të kostumit tradicional “lunxhe”, një veshje e rrallë autoktone e kësaj krahine prerë, qëndisur dhe zbukuruar nga duart e artizanëve lunxhiot këtu e 100 vjet më parë.

“Gjatë tri ditëve të festivalit “Divani Lunxhiot” përveç koncerteve janë organizuar edhe veprimtari të tjera shoqëruese si prezantim i banesave lunxhiote të shpallura dhe ruajtura si “monument kulture”, përurim i restaurimit të Çesmës 200 vjeçare të Dhoksatit, panairi i zejeve të zonës organizuar në bashkëpunim me GCDO, ekspozita ikonografike e artistëve Ziso dhe Mario Muzha, çelja e ekspozitës “Udhetim në Lunxhëri” dhe prezantim i filmit “Lunxhëria ime” përgatitur nga Prof . Arqile Bërxholit, ndërkohë që në disa tryeza bashkëbisedimi është debatur për angazhimin e të gjithëve në ruajtjen dhe zhvillimin e trashëgimisë kulturore të Lunxhërisë” u shpreh kryeorganizatori i kësaj veprimtarie, kryetari i komunës Ilia Kuro.

Veprimtarisë kulturore tradicionale “Divani Lunxhiot”, si event kulturor me shtrirje kombëtare dhe ndërkombëtare, për vetë organizatorët nuk është një ndërmarrje e thejeshtë dhe spontane, por një objektiv për ta kthyer atë në një veprimtari të përvitshme në shërbim të evidentimit të vlerave të trashëgimisë kulturore të krahinës së Lunxhërisë dhe në një josje dhe destinacion të turizmit kulturor.

“Nisur nga pasuritë e shumta të trashëgimisë kulturore, historike, shpirtërore dhe materiale të Lunxhërisë, qëllimi ynë është që të mirëpresim çdo vit sa më shumë artistë dhe miq nga vendi dhe nga vendet fqinje, për të promovuar këto vlera dhe për ta kthyer Lunxhërinë në një destinacion turistik”, nënvizon kryetari i komunës Ilia Kuro.

e.s/r.n/NOA

KOMENTE