Tiranë, 23 korrik 2010 NOA - Partia “Lëvizja e Legalitetit” përshëndeti sot vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Kosovën dhe e konsideron atë një përfundim logjik të sakrificave, përpjekjeve, por edhe maturisë së popullit shqiptar të Kosovës për t’i shpëtuar gjenocidit serb dhe ndërtuar shtetin e ri.
Ne shpresojmë se një veprim i tillë që përligji edhe juridikisht aktin sublim të shpalljes së Pavarësisë Kosovës, krahas shtimit të njohjes ndërkombëtare për shtetin më të ri, do të shërbejë edhe si nxitje për institucionet e Kosovës që të ushtrojnë në mënyrë të plotë sovranitetin e tyre në të gjithë territorin e vendit.
Partia “Lëvizja e Legalitetit” tha se ndjen kënaqësi që koha po flet shqip dhe se padrejtësitë historike po ndreqen njëra pas tjetrës.
Është detyrë e klasës politike në të dyja anët e kufirit që të largohet nga kërkesat minimale dhe të bëhet promotore e aspiratës së popullit shqiptar për bashkim kombëtar, si zgjidhja më e natyrshme në raport me të drejtën historike dhe nevojën konkrete për vitalizmin e energjive që gëlojnë brenda kombit.
r.n/NOA