Presidenca E Be-Së Përshëndet Qëndrueshmërinë E Bankave
BRUKSEL, 23 korrik /ATSH-AFP/ - Presidenca belge e BE-së përshëndeti sot rezultatet e testeve të rezistencës të kryera tek bankat kryesore evropiane, duke u shprehur se ato nënkuptojnë një "shkallë të lartë rezistence" në rast problemesh të rënda.
"Rezultatet e testeve tregojnë një shkallë të lartë rezistence të sektorit bankar të Bashkimit Evropian në tërësi, që pasqyrojnë përpjekjet e ndërmarra gjatë viteve të fundit nga bankat dhe disa qeveri për të rivendosur besimin", bëri të ditur Ministria belge e Financave në një komunikatë, në emër të presidencës së BE-së që mbahetn aktualisht nga Belgjika.
Përballë kritikave të atyre të cilët shprehen se testet nuk ishin aq kërkuese sa duhet, qeveria belge u shpreh se ato janë kryer në mënyrë "rigoroze dhe shumë transparente".
Ajo u kërkon autoriteteve kombëtare të mbikëqyrjes financiare të secilit prej vendeve evropiane të shqyrtojnë nga afër rezultatet për të parë nëse ka nevojë për krijimin nga e para të kapitaleve të disa bankave "duke respektuar plotësisht rregullat e BE-së për ndihmat publike".
/I.Pu.