Prezantohet Guida Më E Re Turistike "Albania"
- Promovohet në mjediset e MTKRS-së, nga Ministri Ferdinand Xaferraj dhe Ambasadori i Spanjës, Emanuel Montobbio-
TIRANË, 23 Korrik /ATSH- Suada Daci/- Një guidë turistike prej 74 faqesh në gjuhën spanjolle, ku dalin në pah historia dhe kultura e pasur e Shqipërisë dhe shqiptarëve, u promovua të premten në mjediset e Ministrisë së Turizmit, Kulturës Rinisë dhe Sporteve, në prani të Ministrit Ferdinand Xhaferraj dhe ambasadorit të Spanjës në Shqipëri, Emanuel Montobbio.
Guida me titull "Albania" (Shqipëria) e botuar në Spanjë, është shkruar nga dy profesorë spanjollë të njohur në fushën e historisë, gjeografisë dhe sociologjisë, prof. Eladi Romero dhe prof. Salvador Martinez.
Botimi përmban shumë informacion të shoqëruar me foto dhe imazhe mbi gjeografinë, historinë, natyrën, zakonet dhe zhvillimet e fundit demografike e shoqërore në vend.
Duke falenderuar ambasadaën spanjolle për mbështetjen që ka dhënë në promovimin e imazhit të Shqipërisë, ministri i MTKRS-së, Ferdinand Xhaferraj tha se, " në bashëkupunim me UNDP ne kemi përfunduar edhe strategjinë e marketimit të kulturës, e cila synon të promovojë dhe të prezantojë kulturën shqiptare me instrumentat bashkëkohore të marketingut".
Sipas tij, "gazeta të njohuara si Corriere Della Sera, The Guardian , si dhe revista e njohur National Geograpihc kanë shkruar artikuj për Shqipërinë turistike".
Duke e konsideruar turizmin si një nga prioritetet e qeverisë, Ministri i TKRS-së, Ferdinand Xhaferraj tha se, "deri tani shifra e turistëve të ardhur në Shqipëria e ka kaluar numrin një milion, dhe ne shpresojmë që numri i turistëve deri në fund të 2010 të ketë arritur shifrën prej 3.5 milion vizitorë".
"Ne do të punojmë ngushtë me sektorin privat për të fuqizuar më tej në tregjet ndërkombëtare pozicionin e Shqipërisë dhe të turizmit shqiptar", përfundoi Xhaferraj.
Ambasadori spanjoll, Emanuel Montobbio vlerësoi se, "kjo është një guidë speciale që na hap 2 dyer. Na hap një derë ndaj një bote të mbyllur që ka vuajtur deri në vonë një natë të errët të historisë së saj në të cilën nuk kishte e mundur që shqiptarët të hynin në vende të ndryshme të botës, dhe për të huajt të hynin në Shqipëri".
Dhe dera e dytë, sipas tij, është fakti që "bota e Shqipërisë së sotme nuk është më ajo e historisë më të trishtë, por është një botë e zhvillimit të demokracisë."
"Përtej miliona bunkerëve del në pah një shoqëri thellësisht mesdhetare me vitalitet, mikëpritëse, komplekse, etj, dhe që kërkon t'i ndajë këto gjëra me të huajin, i cili transformohet më pas në një mik të mirë," tha më tej ambasadori.
Sipas tij, "Shqipëria ka edhe bukuri natyrore duke filluar që nga luginat, malet e Thethit, detet, qytetet historike me një bukuri të veçantë , pra një botë e veçantë që e bën udhëtimin një eksepriencë të paharrueshme".
Botimi Albania është i një botim i denjë për një koleksionues botimesh të ngjashme, si dhe për t'u përdorur nga hotelet e restorantet, por edhe nga agjencitë ndërkombëtare dhe institucione të tjera./ch/