Tiranë, 23 korrik, NOA – Lista e privatizimeve të objekteve shtetërore është kthyer në një mollë sherri mes mazhorancës dhe opozitës. Së fundi në debatin mes dy forcave ka hyrë dhe pushteti vendor duke denoncuar privatizimin e objekteve dhe trojeve ku ka projekte për komunitetin.
Sot Partia Socialiste kërkoi që qeveria të heq nga lista parkun në afërsi të “21 dhjetorit” i cili njihet ndryshe si “Fusha e Aviacionit”.
Deputeti i PS-së Eduard Shalësi u shpreh se në këtë vend Bashkia po ndërton një projekt të madh dhe kjo pronë nuk mund të hyjnë në fondin e ushtrisë, siç është klasifikuar nga Ministria e Mbrojtjes dhe Ekonomisë.
Shalësi u shpreh se PS-ja do e mbrojë edhe me trupat e saj mos kalimin e kësaj prone në favor të qeverisë.
“Apeli ynë sot është tërhiqeni këtë park nga lista e gjatë kriminale e privatizimeve që i janë dhënë për ekzekutim Dritan Priftit nga Arben Imami për llogari të Sali Berishës. Ne do ta mbrojmë këtë park me trupat tanë sot dhe nesër me anullimin e kësaj procedure skandaloze për të cilën do të përgjigjet herët a vonë çdo njeri që do të hedhë firmën”, tha ai.
Deputeti i PS-së akuzoi ministrat Lulzim Basha, Dritan Prifti dhe Arben Imami për tjetërsimin e pronave publike. “Kjo që po ndodh këtu, në këtë pjesë të kryeqytetit që njihet si “Fusha e Aviacionit” dhe ku Bashkia e Tiranës po ndërton parkun e dytë më të madh të kryeqytetit, është një grabitje tronditëse që shokon çdo njeri normal”, u shpreh Shalësi.
Ai theksoi se kjo fushë është nxjerrë në shitje nga Imami dhe Prifti, “si të ishte pronë e ushtrisë”.
Ai theksoi se kjo është e papranueshme duke qenë se është pronë publike.
“Kjo pasuri e publikut që aktualisht po transformohet në një park urban fantastik, ka nxitur oreksin e pashuajtshëm të këtyre të babëziturve pa din e iman dhe është futur në kasaphanën ku pushteti i sotëm familjar i Sali Berishës po ther Shqipërinë”, tha Shalësi.
Ai ka theksuar se pushteti vendo ka kërkuar hapësira për ndërtimin e kopshteve dhe çerdheve.
“Kjo është fytyra e këtij pushteti altoparlantësh, që shajnë papushim prej vitesh bashkinë pse nuk ka më shumë lulishte, çerdhe e shkolla, po nga ana tjetër nuk lanë truall e gërmadhë çerdheje pa e gllabëruar përmes privatizimesh korruptive”, u shpreh Shalësi.
Nisur nga vendimi i fundit, Shalësi the ase “ky park i madh rrezikon të kthehet në pronë private e atyre që qeverisin Shqipërinë”.
NOA