Shba: Kosova, Shtet I Pavarur Dhe Territori I Saj I Pacënueshëm
TIRANË, 23 Korrik/ATSH, A.Gegvataj/- Sekretarja e Departamentit të Shtetit, Hillari Klinton, përshëndeti vendimin e djeshëm të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ligjshëmrinë e pavarësisë së Kosovës, njoftoi të premten Ambasada e SHBA në Tiranë.
Sekretarja e amerikane e shtetit, u bën thirrje shteteve që nuk e kanë njohur, ta bëjnë këtë, pasi Kosova është një shtet i pavarur dhe territori i saj është i pacënueshëm, thuhet në njoftimin e zyrës së shtypit të ambasadës.
"U bëjmë thirrje të gjitha shteteve që të kalojnë përtej çështjes së statusit të Kosovës dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive në mbështetje të paqes dhe stabilitetit në Ballkan", citon zonjën Klinton njoftimi.
Ajo deklaron se "Serbia dhe Kosova janë mike dhe partnere të Shteteve të Bashkuara".
Në njoftimin për shtyp Klinton tha se "tani është koha që ato të lënë mënjanë dallimet e tyre dhe të ecin përpara, duke punuar së bashku në mënyrë konstruktive për të zgjidhur çështjet praktike dhe për të përmirësuar jetët e popullit të Kosovës, Serbisë dhe rajonit".
Sipas znj.Klinton ,"kjo është rruga drejt së ardhmes së tyre, si pjesë e një Europe të plotë, të lirë dhe në paqe, dhe ne mirëpresim përpjekjet e Bashkimit Europian për të ndihmuar të dyja vendet për të realizuar aspiratat e tyre europiane".
Gjithashtu në deklaratën për shtyp, sekretarja Klinton tha se "GJND-së ra dakord vendosmërisht me pikëpamjen e hershme të Shteteve të Bashkuara se deklarata e pavarësisë nga Kosova është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare".
"Kjo është pikëpamja që ne paraqitëm në raportimet që i prezantuam Gjykatës si dhe në seancat gojore që ajo zhvilloi dhjetorin e kaluar", përfundon deklerata e Sekretares së Shtetit Amerikan, Hilari Klinton./ch/