Shkoder: Takim Rajonal I Keshillit Shqiptar Per Marredhenie Me Jashte
SHKODËR, 23 Korrik/ATSH-G. Marku/- "Të gjithë së bashku ta fitojmë "luftën" kundër korrupsionit në sektorin publik", ka qënë tema e takimit rajonal që organizoi sot Këshilli Shqiptar për Marrëdhënie me Jashtë, në bashkëpunim me Bashkinë e Shkodrës.
Ne takimin e zhvilluar në mjediset e bibliotekës "Marin Barleti" të Shkodrës, krahas diskutimit të temave të ndryshme nga speciaistët e Këshillit Shqiptar për Marrëdhënie me Jashtë, me interes janë pritur edhe transmetimi i domumentarëve të ndryshëm përgatitur nga kjo organizatë në lidhje me rastet e denoncimit të korrupsionit në sektorët e arsimit dhe shëndetësisë.
Diskutantet u ndalen ne rolin e institucioneve vendore dhe te shoqerise civile në luftën kundër korrupsionit në sektorin publik, duke e argumentuar edhe me shembuj konkretë nga jeta dhe aktiviteti i tyre i përditshëm.
Drejtoresha e Drejtorisë Rajonale Arsimore të Prefekturës së Shkodrës, Atrida Ferketi, evidentoi punën e bërë nga ky institucion për luftimin e këtij fenomeni, duke theksuar se është vënë në dispozicion një numër i veçantë falas për denoncime të rasteve të ndryshme, si dhe një kuti postare për këtë qëllim.
Ndersa kancelari i Universitetit "Luigj Gurakuqi" të Shkodrës, Florian Bjanku, duke theksuar se asnjë institucion nuk është imun ndaj korrupsionit, konfirmoi faktin se me fillimin e vitit të ri akademik, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, është programuar të bëhet një sondazh për korrupsionin në universitete duke filluar nga viti i ri akademik në vazhdim.
Elvira Jusufaj, drejtore Ekzekutive e Këshillit Shqiptar për Marrëdhënie me Jashtë, tha për ATSH-në se "aktiviteti në fjalë u realizua me mbështetjen e Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, në kuadër të projektit "Formëzimi i mosbindjes masive ndaj mbizotërimit të korrupsionit nëpërmjet ndërgjegjësimit, edukimit publik dhe monitorimit". Kjo mënyrë trajtimi dhe diskutimi e kësaj plage të shoqërive ka si synim ndërgjegjësimin tonë si përfaqësues të institucioneve respektive, por mbi të gjitha si qytetarë, për të kërkuar transparencë ndaj ofruesve të shërbimeve publike si dhe për të kuptuar përgjegjëshmërinë e këtyre të fundit ndaj qytetarit si përfitues të këtij shërbimi". /a.ke/