Rrëshen, 23 Korrik 2010 NOA – Ka përfunduar në gjakderdhje me një të vdekur përleshje e armatosur mes dy grupe të rinjsh në qytetin e Rrëshenit duke sjellë sërish klimë pasigurie në këtë zonë, disa orë pasi herët në mëngjes u ekzekutua me armë zjarri një i ri në mes të Lezhës.
Korrespondenti i agjencisë NOA raporton se në këtë ngjarje që ndodhi mbrëmjen e sotme në mes të qytetit të Rrëshenit, ka mbetur i vdekur 26-vjeçari Luan Gjoka, lindur e banues në këtë qytet.
Policia ka bërë të ditur për agjencinë NOA se autor i dyshuar i kësaj vrasjeje është Sokol Shutani, nga i njëjti vendbanim.
Nga hetimet e para, dyshohet se konflikti mes dy grupeve të rinjsh solli masakrën e mbrëmje së sotme në qytetin e Rrëshenit, para Komisariatit të Policisë, duke bërë që të përfundojë me viktima.
Sipas hetimit dhe raportimit nga vendngjarja të korrespondentit të agjencisë NOA gjithçka ka nisur në orën 9.00 të mbrëmjes së sotme, pas përplasjes së dy grupeve të rinjsh, të cilët e kishin nisur sherrin përpara ish-Shtëpisë së Oficerëve.
Por sherri ka vazhduar pasi palët “rivale” janë zhvendosur para Komisarit të Policisë Rrëshen.
Ndërsa të shtënat me armë kanë vënë në panik qytetarët e Rrëshenit, policia lokale ka ndërhyrë vetëm pas ndalimit të të shtënave, ku që në fillim është përballur me gjetjen e viktimës pak metra larg komisariatit, në çastet kur qytetarët mirditorë po tentonin t’i jepnin ndihmë Luan Gjokës, për ta dërguar në spitalin e Rrëshenit.
Burime zyrtare të Policisë së Mirditës bëjnë të ditur se janë shoqëruar në komisariat 15 veta, të cilët dyshohen të kenë dijeni mbi ngjarjen.
Ndërsa ka zbuluar edhe identitetin e të dyshuarit të vrasjes i cili është Sokol Shutani, po nga Rrësheni. Të njëjtat burime shprehen se shkak i krimit ka qenë një konflikt mes të rinjsh, pas një grindjeje për femra.
Dyshohet se palët në konflikt pretendonin se ishin të dashuruar me të njëjtën vajzë. Në operacion për arrestimin e autorit të dyshuar të krimit, krahas forcave të Drejtorisë së Policisë së Lezhës janë hedhur në veprim edhe forcat speciale të ardhura nga Shkodra. Por errësira e natës ka bërë që i dyshuari i krimit të mos gjendet, ndërsa është bërë rrethimi i gjithë qytetit me forca police dhe u vendosën postblloqe në të gjithë akset rrugore që lidhen me qytetin e Rrëshenit dhe ato po mbahen nën kontroll nga ana e policisë.
Nën drejtimin e aksionit është vënë personalisht Drejtori i Policisë së Qarkut Lezhë, Drejtues i Parë Muhamet Furriku.
Burimet policore i thanë agjencisë NOA duke iu referuar operacionit të kontrollit në proces, se pritet që gjatë mëngjesit të ditës së Shtunë të nisë dhe krehja e zonës, pasi sonte gjatë natës qyteti do të mbahet nën kontroll duke kryer kontrolle banesash dhe objektesh të tjera.
Vrasja e Rrëshenit vjen pas asaj qe ndodhi ne oret e para te se Premtes ne Lezhë ku mbeti i vrarë Fabian Nika. Sonte, policia lokale njoftoi se ka futur ne qeli, te dyshuarin e vrasjes, Erind Mrruku.
a.b/NOA