Turqi - Mandatarrest Për 102 Të Akuzuar Në Një Komplot Për Grusht Shteti
STAMBOLL, 23 korrik /ATSH-AFP/ - Një gjykatë turke lëshoi sot një mandatarresti për 102 të akuzuar në një komplot të dyshuar për grusht shteti të thurur në vitin 2003, njoftoi agjencia turke e shtypit Anadolli, që citon një gjykatës.
Sipas televizionit NTV, tre gjeneralë në pension, nxitësi kryesor i komplotit dhe ish-shefat e marinës dhe të aviacionit, janë ndër të dyshuarit e përmendur në mandatarrest.
Gjykata caktoi gjithashtu seancën e parë të procesit për më 16 dhjetor, në një burg pranë Stambollit, bëri të ditur gjykatësi Davut Bedir, i cituar nga Anadolli.
Njëqind e nëntëdhjetë e gjashtë persona janë akuzuar në këtë komplot të dyshuar që mendohet të jetë thurur në shtabin e përgjithshëm të forcave të armatosura në Stamboll, në vitin 2003, pak pas ardhjes në pushtet të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim, AKP, një grupim i dalë nga lëvizja islamike.
Ardhja në pushtet e AKP-së ka ngjallur dyshime tek një pjesë e opinionit dhe të hierarkisë ushtarake për vënien në dyshim të parimeve të laicitetit në Turqi.
/e.v/