Tiranë, 24 Korrik, NOA – “Rruga e vendeve të rajonit të Ballkanit është vetëm bashkëpunimi, një adresim që unë ia bëj edhe Shqipërisë”.
Kështu u shpreh presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me kryeministrin Sali Berisha në Tiranë.
Pas takimit me presidentin Bamir Topi, presidenti i Kosovës, Sejdiu është takuar me shefin e qeverisë, Berisha, ku pika kyçe e diskutimit ka qenë rishtas vendimi historik i GJND-së, mbi ligjshmërinë e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës si dhe çështje të rajonit të Ballkanit.
Të dy politikanët e lartë, të Kosovës dhe Shqipërisë i kanë bërë thirrje Serbisë që të bashkëpunojë pasi çdo përpjekje për ndryshim territoresh është një lojë e rrezikshme.
"Përpjekjet për ndarje territoresh janë të rrezikshme, pasi krijojnë një spirale të re që bie ndesh me idealin e popujve të Ballkanit", theksoi kryeministri Berisha, duke i kërkuar Serbisë të bashkëpunojë dhe kontribuojë për stabilitetin e rajonit dhe prosperitetin e tij.
Kryeministri Berisha e ka përgëzuar ndërkaq presidentin e Kosovës, për mendimin e GJND-së, si një arritje e madhe historike e shqiptarëve.
“Ky vendim është i një rëndësie të jashtëzakonshme jo vetëm për Kosovën, por për të Drejtën Ndërkombëtare në përgjithësi. Rrallë ndonjëherë në historinë e botës mund të ketë patur lidhje të tillë mes vendimit të shpalljes së Pavarësisë dhe të Drejtës Ndërkombëtare’, deklaroi Berisha.
Sipas kryeministrit, mendimi i Gjykatës së Hagës ishte një vlerësim i të vërtetave të mëdha të Kosovës, një kontribut madhor për paqen dhe prosperitetin në rajonin e Ballkanit.
Kreu i qeverisë, ndër të tjera tha se “Kosova ishte rast i paprecedent në historinë e shpalljeve, se realiteti në Kosovë ishte tërësisht në përputhje me rezolutat ndërkombëtare, ndaj në këtë kontekst ky vendim duhet dhe do të shoqërohet me njohje të reja, me qëllim që Kosova të marrë sa më shpejt vendin e saj në OKB”.
Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu duke iu referuar mendimit të gjyqtarëve të Hagës, theksoi se “Mendimi i urtë i GJND-së, ishte përgjigjja më e mirë për të gjitha proceset, për të gjitha vendimet që ne kemi marrë në Kosovë”. Për ne është me rëndësi se mendimi i GJND-së, ishte i paanshëm, i pakompromentuar dhe askush nuk mund të thotë të kundërtën, nënvizoi Sejdiu.
Sipas tij tashmë Kosova e Pavarur pret të njihet edhe nga vende të tjera, pasi mendimi i GJND-së, është pikërisht një perspektivë e re njohjesh.
Presidenti i Kosovës u shpreh i bindur se Kosova është e gatshme të bashkëpunojë në rajon për të mirën e tij dhe për integrimin e mëtejshëm. Sejdiu tha se Kosova do të jetë e gatshme për marrëdhënie të mira reciproke me Serbinë.
Në këtë kontekst, kryeministri Berisha e garantoi presidentin e Kosovës se Shqipëria do të bëjë përpjekje të mëdha për të udhëhequr në këtë rrugë dhe se do të garantojmë e do japim mbështetjen më të madhe përdrejt realizimit të kësaj aspirate, me qëllim që gradualisht të arrihet që edhe Beogradi ta vlerësojë këtë situatë të re”.
Në këtë moment historik, çdo përpjekje për mosrespektim territoresh apo ndryshim të tyre është i rrezikshëm, theksoi Berisha, për paqen në rajon.
mit/NOA