Lezhë, 24 Korrik, NOA - Burg pa afat për Ardit Skëndajn, Sokol Jasharin dhe Fatjon Sejfullain, të arrestuar katër ditë më parë nga ana e policisë së Lezhës.
Arrestimi i tyre është kryer pasi të tre, në bashkëpunim edhe me dy të tjerë, grabitën me maska dy shqiptaro-malazezë, ndërsa udhëtonin nga Rinasi për në Malin e zi.
Të tre personat që u gjykuan dje nga ana e gjykatës së Lezhës, kanë pranuar autorësinë e krimit të grabitjes.
Ndërkohë, që ka qenë ditë më parë edhe futbollisti i “Besëlidhjes”, Vladimir Nikolli, i cili ka treguar me detaje grabitjen, sikundër të njëjtën gjë kanë bërë edhe të pandehurit e ditës së djeshme në gjykim, ku “truri” i grabitjes ka qenë Sokol Jashari, i cili kishte të martuar motrën në Mal të Zi me të afërm të viktimës së grabitjes.
Ai është shprehur se "kur dëgjoi që shqiptaro-malazezët do të kishin me vete një shumë të konsiderueshme parash, atëherë mendoi mënyrën se si mund t'i grabiste. Vetë ishte e pamundur se e njihnin dhe për këtë njoftoi shokët që kishte besim dhe e kryen vjedhjen”.
Po dje, gjykata e shkallës së parë të Lezhës ka vendosur lirimin me kusht të protestuesve që morën pjesë në protesta për vrasjen e të riut, Armado Skëndaj.
Nisur nga mosrreziku i largimit nga gjykimi dhe normalizimit të situatës së krijuar, kjo gjykatë ka gjykuar që ndaj të rinjve të arrestuar, të vendosej masa e arrestit.
a.b/NOA