Shkup, 24 Korrik, NOA - Parlamenti i Maqedonisë nuk ka miratuar sot projekt-ndryshimet e Rregullores së punës së këtij institucioni legjislativ.
Deputetët e maxhorancës të VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së, nuk miratuan ndryshimet e parapara, pas mungesës së deputetëve të opozitës në sallën e parlamentit.
Opozita nuk i është përgjigjur thirrjeve të kryeparlamentarit Trajko Veljanovski, për të votuar ndryshimet e propozuara. Ai menjëherë pas kësaj ndërpreu dhe anuloi për kohë të pacaktuar mbajtjen e kësaj seance.
Deputetët e VMRO-DPMNE-së akuzuan socialdemokratët e opozitës se po bllokojnë procesin e integrimit të vendit dhe dialogun politik. “Nëse duam të integrohemi në familjen evropiane, nëse duam vendime nacionale, duhet, para se gjithash, këtu në këtë shtëpi tonën parlamentare të përbashkët të jemi të integruar për punë thelbësore”, ka theksuar kryeparlamentari Veljanovski.
VMRO-DPMNE akuzoi se partitë opozitare po punojnë në interes ë armiqve të Maqedonisë.
Lidhja Social Demokrate (LSDM) ka theksuar se seanca dhe maxhoranca aktuale riktheu kohën e Millosheviçit, pasi që sipas tyre, partia e kryeministrit Nikolla Gruevski ka pranuar se i pengon opozita aktuale dhe kërkojnë siç thuhet importin e ndonjë opozite tjetër.
“VMRO-DPMNE nuk pati sukses të arsyetohet dhe ta ndajë përgjegjësinë për raportin negativ që do të pasojë nga BE, i cili më së shumti ka të bëjë me ndikimin politik ndaj administratës, mungesën e luftës kundër korrupsionit, ligjit për antidiskriminim, presionet ndaj mediave dhe projektin Shkupi 2014”, ka theksuar deputeti i LSDM-së, Jani Makraduli.
Mungesa e sjelljes së Rregullores dhe dështimi i radhës i dialogut politik midis pozitës dhe opozitës është një sinjal negativ që i dërgohet Bashkimit Evropian.
NOA-INA