Këta kritikë, që unë i quaj batakçinj, nuk kanë asnjë arsye thelbësore për të kuptuar të vërtetën e duhur që ne e jetojmë sipas lojës së diktuar. Edhe optimisti më i madh i botës të jesh, do kuptosh që bota në thelb është kushti ynë i vetëm i kësaj ekzistence që na mbyll hermetikisht
Nga Bujar Plloshtani*
Në këtë ekzistencë, e keqja dhe e mira janë produkt i natyrës hyjnore që jetojnë dhe veprojnë brenda llojit të tyre duke iu përshtatur kushteve të brendshme të panjohura të vetë botës.
Jo se e keqja qëndron sipër ekzistencës, por ekzistenca duket se vepron ndonjëherë jashtë vullnetit njerëzor, duke e çuar veprimin e njeriut në transit, i nënshtruar ndikimit si vullnet i jashtëm.
Ndonëse, ky i fundit duket shkoqur se ndikohet nga procese të jashtme, edhe përkundër ndikimit të këtillë nuk e zbeh thelbësisht ambiciet e tij, që ndonjëherë atë e mbyll hermetikisht. Nisur nga këndvështrimi i filozofisë ekzistencialiste të Jean-Paul Sartre, "Njeriu nuk është gjë tjetër veçse ai që është bërë.
Nëse ekzistenca vërtet i paraprin esencës, atëherë njeriu është i përgjegjshëm për atë çka ai është".
Ai në njëfarë mase, e çliron njeriun nga ndikimet e jashtme, dhe e mvesh atë se ai është vetë përgjegjës për atë se çka vepron. Gjithsesi, se ekzistencializmi i Sartre është kaq joshës për t’u kuptuar, madje dhe racional për sistemin tonë të të menduarit; por në qoftë se gjykojmë mbi ekzistencializmin, si vullnet i jashtëm, do kuptojmë se veprimet e natyrës, ndonjëherë ndikojnë brenda pikëpamjeve të njeriut, duke e mbyllur hermetikisht. Mjafton të sjellim ndërmend mungesën e drejtësisë, smirën, ç’humanizmin, fatkeqësitë natyore, vdekjen etj, etj.
Ndryshe nga filozofia ekzistencialiste e Jean-Paul Sartre, unë mendoj se edhe e keqja, edhe e mira janë produkte që veprojnë sipas bindjeve te njeriu. Ndonëse, e keqja jepet, pra ndodhet brenda njeriut, ndërsa e mira si pasojë e të menduarit dhe përvojës intelektuale përfitohet si nevojë e domosdoshme, ajo arrin të fshihet si mister, si qëllim ekzistencialist brenda njeriut.
Megjithëkëtë, fundja, edhe e keqja, edhe e mira janë të përshtatura kaq hollësisht midis tyre për ta jetësuar ekzistencën e njeriut, sakaq, vështirë se do shquhej ndikimi i ndonjë vullneti të jashtëm.
Ndërkohë, e keqja të jep kuptimin se, para së gjithash është vullnet i jashtëm, i ndikuar nga një substancë e panjohur.
Që, mbase, ndonjëherë shërben për t’iu kundërvënë bindjeve të njeriut, ndërsa, ndonjëherë shërben si sprovë ndaj veprimeve të përgjithshme.
Përderisa, ne udhëtojmë, atëherë ndikohemi. Duhet të kemi vënë re, ndonjëherë, ndikohemi nga kushte të ndryshme natyrore, ku veçmas na spostohen veprimet tona psikologjike duke na u mbyllur hermetikisht.
Përjashta, asgjë nuk është e përkryer, si për sistemin mendor, ashtu dhe për ekzistencën njerëzore që të rrjedhë si pasojë e sistemit inteligjent. Ndonjëherë, një ves i keq mund të na shkaktojë dhembje, jo, se ne jemi të lindur të tillë, por se sistemi ynë ndikohet nga kjo ekzistencë, ku përditë e jetojmë.
Këtë ndikim të huaj, me thelb negativ, ne mundohemi ta përmirësojmë, ta fshehim brenda lukunive shpirtërore, duke e zhveshur dhe ribërë atë brenda nesh të veprojë si reaksion pozitiv.
Fatkeqësisht, ne ndodhemi në një udhë të keqe. Gati përherë të vetmuar me provokimet e së keqes. Njeriut i duhet të gjendet, jo vetëm përballë sfidave jetësore, por dhe sfidave të ndryshme ndikuese.
Fundja, dhe vdekja është plan i hidhur që ndikon në sistemin tonë të ekzistencës. Vdekja dhe disa fenomene të tjera natyrore ndikojnë në sistemin tonë ekzistencial si vullnet i huaj.
Për vdekjen, ç’do thoshnim, a nuk ndikon në vullnetin njerëzor? Vdekja nuk prish sistemin tonë të jetesës, pra ekzistencës? Vdekja prish gjithçka. Kush e pushon së ekzistuari vdekjen? Askush! Edhe Zoti është ndërmjet këtij misteri. Por, megjithatë, ai është më fatlumi, sepse nuk i bindet askujt, pra asnjë ekzistence hermetike.
Ne, shoqëria njerëzore jemi të dënuar pafajësisht të bindemi rregullave të ngurta që na çojnë drejt dogmatizmit shpirtëror. Nuk ka udhë tjetër të ndërmjetme, përpos kësaj ekzistence të privuar me sfidat e ndryshme natyrore. Njeriu drejt fatit të tij të trishtë, edhe përkundër kritikëve, që na hedhim idetë dhe planet e tyre, se gjoja bota qenkërka kaq e virgjër, e mahnitshme.
Këta kritikë, që unë i quaj batakçinj, nuk kanë asnjë arsye thelbësore për të kuptuar të vërtetën e duhur që ne e jetojmë sipas lojës së diktuar. Edhe optimisti më i madh i botës të jesh, do kuptosh që bota në thelb është kushti ynë i vetëm i kësaj ekzistence që na mbyll hermetikisht. Ndërsa, Zoti, regjia absolute që na dikton këtë fat sa të trishtë, po aq dhe inkurajues.
(*) Dërguar nga autori, qëndrimet janë personale