English

Familjarët e viktimave të Gërdecit denoncojnë ministrinë e Mbrojtjes: Ajo na vrau!

Tiranë, 24 Korrik, NOA – Shoqata e Familjarëve të Viktimave të Shpërthimit të Gërdecit, ka denoncuar përmes një deklarate për shtyp përgjigjen negative që ministria e Mbrojtjes i dha kërkesës së tyre për shpërblimin e dëmit nga humbja e jetës së 26 viktimave të pafajshëm në 15 mars 2008.

“Ministria e Mbrojtjes mohon përgjegjësinë që me urdhrat e ministrit u grumbulluan në Gërdec mijëra tonelata municione pa asnjë normë sigurie, mohon përgjegjësinë për urdhërimin e demontimit pa asnjë mbikëqyrje profesionale ushtarake, ashtu siç mohon edhe faktin që urdhrat vrasës kanë qenë në kundërshtim me ligjin dhe me rregulloret e brendshme përkatëse”, citohet në këtë deklaratë.

Duke e akuzuar më tej ministrinë e Mbrojtjes, se i cilëson të gjithë veprimet si të mbështetura në ligj, duke u munduar që të thotë se i vrau viktimat e Gërdecit në mënyrë të ligjshme dhe se sot kërkon të vrasë edhe të drejtën e shpërblimit të dëmeve të pësuara.

“Ministria e Mbrojtjes në këtë përgjigje na kujton se kemi hequr dorë nga gjyqi ndaj saj, duke u munduar që të rëndojë me përgjegjësi vetëm firmën private “Albdemil”, por kjo nuk është aspak e vërtetë sepse kërkesa administrative e paraqitur nuk ishte gjë tjetër veçse përmbushja e një detyrimi ligjor përpara se t’i drejtohemi gjykatës. Albdemil ka përgjegjësitë e veta, por ajo nuk mund të sillte asnjë dëm, nëse nuk do të ishin urdhrat e mbrapshtë dhe të papërgjegjshëm të Ministrisë së Mbrojtjes e cila e la në dorën e një firme private çmontimin e predhave më kërcënuese të arsenalit të ushtrisë shqiptare”, pohojnë familjarët e viktimave të tragjedisë së Gërdecit

Sipas tyre, mos-mbikëqyrja dhe mospërcaktimi i standardeve të rrepta të sigurisë në procesin e rrezikshëm të demontimit, janë dhe mbeten përgjegjësi e shtetit dhe kjo dredhi nuk e shpëton dot këtë organ shtetëror nga përgjegjësia.

“Shoqata e Familjarëve të Viktimave të Shpërthimit të Gërdecit, do të konsumojë formalisht edhe ankimin e detyrueshëm administrativ pranë Këshillit të Ministrave, tashmë me shpresën e vetme tek organet e drejtësisë shqiptare dhe asaj ndërkombëtare”, përfundon deklarata.

n.e/NOA

KOMENTE