English

Kukes: I Nxehti Thuajse Ka "Paralizuar" Levizjen E Njerezve

KUKES, 24 korrik/ATSH-R.Hoxha/. - Kukësi, qyteti ku në mesditë termperatura ka arritur në 40 gradë, është i zbazur. Ashtu janë edhe institucionet shtetërore. Të gjithë kanë mundur të gjejnë një strehë për t'i shpëtuar vapës. Ashtu janë edhe ato shëndetësore. Një nga mjekët e rrallë që takojmë në spitalin civil të qytetit të Kukësit eshte Mark Nufi. I lodhur e i djersitur, ai largohet nga zyra ku regjistrohen të sëmurët. "Të themi të drejtën, numri i të sëmurëve është rritur, bile është dyfishuar. Gjatë 24 orëve të fundit kanë ardhur në spital mbi 90 persona që kanë kërkuar ndihmën mjekësore", thotë Fetia, infermierja që regjistron të sëmurët. "Fluksi i të sëmurëve që kërkojnë ndihmë është rritur. Vetëm në spitalin infektiv numri është dyfishuar dhe ka arritur deri në 30 - 35 persona në ditë nga helmimet e ushqimit, thotë mjeku Mark Nufi. Edhe ne korridoret e spitalit nuk ka njerëz, pasi nuk ka as aspitatorë. Temperaturat e nxehta e bëjnë të pamundur qëndrimin në korridore, ndërsa të sëmurët tentojnë t'i shpëtojnë të nxehtit të madh përmes ventilatorëve të sjellë nga shtëpia. "Është e vetmja mundësi t'u vijmë në ndihmë të sëmurëve", thotë Gëzimi, që ka vëllain të shtruar në repartin e pediatrisë, ndërsa shton se shërbimi është minimal për të sëmurët në këto ditë, kur temperatura ka arritur në 40 gradë. Ç'thonë të sëmurët Në spitalin civil, jo vetëm të sëmurët, por edhe shoqeruesit e tyre, duan të gjejnë rrugën e shpëtimit për t'iu shmangur të nxehtit të papërballueshëm. "Nuk ka kushte për këtë kohë, edhe pse mjekët u qëndrojnë pranë të sëmurëve", thotë Islam Selimi. "I nxehti po "i shkrin" të sëmurët, po askush nuk u bën derman", shton ai. Ndërsa vetë të sëmurët e kanë vështirë të flasin nën trysninë e të nxehtit. "Mirë se ilacet nuk i kemi, por këtë të nxehtë si mund ta përballojmë. Ventilatorin ma ka sjellë kusheriri, se për spitalin do të mbaroja", thotë Selmani nga fshati Lojmes. Janë të shumtë të sëmurët që përpiqen në shtratin e tejnxehur, edhe pse dritaret janë të gjitha të hapura. Ndërsa ilacet kryesisht i blejnë me paratë e tyre. Për të mundur të nxehtin I nxehti thuajse ka "paralizuar" tërësisht gjithë institucionet shtetërore. Edhe pse punonjësit qëndrojnë nën një hije afër zyrave të tyre. "Në zyra nuk qëndrohet, rrimë këtu afër për të ndihmuar ndonjë hallexhi që na kërkon ndihmë, se për të punuar në zyrë është e vështirë në këtë temperaturë që arrin në 50 gradë", thotë Islami, specialist i arsimit në prefekturën e Kukësit. Një nga mjediset e "shpëtimit" të këtyre ditëve janë brigjet e liqenit të Fierzës, ndonëse edhe deri atje mund të shkohet vetëm me autoveturë. "Është i vetmi shpëtim prej këtyre temperaturave, shkojmë që në mëngjes, ndërsa cadrat i lagim me ujin e liqenin cdo 30 minuta me synimin për t'i shpëtuar të nxehtit të madh. Kthehemi në shtëpi vetëm pas orës 18.00",- thotë Azem Bela, një prej frekuentuesve të shumtë të ujrave të liqenit të Fierzës. "Lëvizim me makinë deri në breg, e më pas hapim cadrat", thotë ai. Edhe pse brigjet e liqenit janë "pushtuar" nga pushues të shumtë, aty afër brigjeve të liqenit makinat nuk pushojnë së lëvizuri. Kosovarët dynden drejt bregdetit I nxehti nuk ka ndryshuar mentalitetin e banorëve të verilindjes, apo të zonave të tjera shqiptare për t'u dyndur drejt bregditeti. "Mjaftojnë 1000 euro dhe 10 ditë kalohen shumë mirë në bregdet. Cmimet janë të kripura, po s'kemi cfarë të bëjmë",- thotë Gucim Berisha nga Suhareka. Gjatë këtyre ditëve ka një fluks të madh, bile të paparashikuar deri në këtë masë, por që deri tani është përballuar me sukses nga strukturat policore të kufirit të të dy vendeve. "Këtë e tregon edhe fakti se nuk është regjistruar asnjë aksident automobilistik, apo ngjarje tjetër e jashtëzakonshme", tha për ATSH-në zëdhënësja e drejtorisë së policisë së qarkut të Kukësit, Odeta Popa. Vetëm gjatë 24 orëve të fundit kanë hyrë në Shqipëri përmes doganës së Morinit 4130 automjete, prej të cilave 52 autobuzë dhe 61 kamionë të tonazhit të rëndë me mbi 15 mijë persona. Një pjesë i drejtohen bregdetit, por një pjesë tjetër vazhdojnë normalisht biznesin e tyre. "E rëndësishme është se deri tani pavarësisht fluksit të madh nuk ka asnjë ngjarje të jashtëzakonshme në territorin e qarkut të Kukësit e jo vetëm në doganën e Morinit, që është porta kryesore që lidh Shqipërinë me Kosovën", thotë drejtori i drejtorisë së policisë së qarkut, Sadri Ramcaj. /a.ke/
KOMENTE