English

Meta pas GJND-së, u dërgon mesazh vendeve që ende nuk kanë njohur Kosovën

Tiranë, 24 Korrik, NOA – Zv/kryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta, u ka dërguar një mesazh vendeve, të cilat ende nuk e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur, për të ndikuar tek ta që ta bëjnë një gjë të tillë.

Një fakt të tillë e bëjnë me dije për agjencinë e Lajmeve NOA, burime konfidenciale nga ministria e Punëve të Jashtme, sipas të cilave, Meta u ka kërkuar këtyre vendeve mbështetje dhe njohje të pavarësisë së Kosovës.

Këtë akt, Meta e ka ndërmarrë pasi Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka marrë vendimin për ta cilësuar si të ligjshme pavarësinë e Kosovës.

Ndërkaq, mësohet se ky është mesazhi i dytë që kryediplomati shqiptar, u ka nisur këtyre vendeve, pas atij të disa ditëve më parë në pritje të shpalljes së mendimit nga ana e GJND-së për ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës.

Kështu, zv/kryeministri Meta, përveç takimeve me ambasadorët e vendeve partnere në Tiranë, konsultimeve me disa nga ambasadorët tanë në vendet kryesore të BE-së, vendet e rajonit, OKB etj, u dërgoi mesazh edhe ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve që e kanë njohur Kosovën, duke i falënderuar për mbështetjen që i japin shtetit të ri të Kosovës dhe u kërkoi njëherësh që të ndikojnë tek vendet e tjera për të përshpejtuar procesin e njohjes së pavarësisë.

Gjithashtu, ai u shprehu angazhimin për të koordinuar hapat për veprimet e mëtejshme pas shpalljes së mendimit këshillimor nga ana e GJND.

Ndërkaq, kontakte për koordinimin e hapave, zv/kryeministri Meta, ka patur dhe me autoritetet më të larta të Kosovës. Kuptohet se lëvizjet e fundit diplomatike shumë-planëshe kanë rinisur së fundmi nga ministri i Jashtëm janë duke u zhvilluar dhe pas një realiteti të ri në arenën ndërkombëtare që është krijuar me vendimin e dhënë pro pavarësisë së Kosovës nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë

Pa harruar as faktin që gjatë këtyre muajve në detyrë, ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, në mënyrë të vazhdueshme ka mbështetur ekipin ligjor të Shqipërisë, i cili pati në përbërjen e tij juristë të njohur ndërkombëtare dhe vendorë në përgatitjen dhe paraqitjen para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të qëndrimit dhe argumenteve të Shqipërisë në mbështetje të shtetit të ri të Kosovës.

Po ashtu, zv/kryeministri Meta ka qenë i angazhuar dhe ka mbajtur kontakte me autoritetet zyrtare të Kosovës, faktorët e angazhuar në mbështetje të Kosovës, në mënyrë që qëndrimi i Shqipërisë dhe argumentet e saj të ishin sa më të plota dhe gjithë-përfshirëse dhe të unifikuara, me qëllim që argumentimi në mbështetje të pavarësisë së Kosovës të ishte sa me bindës.

n.e/NOA

KOMENTE