English

Meta: Pas vendimit të GJND-së, priten njohje të reja të Kosovës

Tiranë, 24 korrik, NOA – Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të jashtme Ilir Meta në takimin me gazetarët ka theksuar se pas vendimit të Gjykatës së Hagës për Kosovën, tashmë pritet që Kosovën ta njohin edhe shtete të tjera.

Duke përshëndetur deklaratën për Kosovën, të diplomates evropiane Catherine Ashton bërë në Beograd, ministri Meta theksoi se tashmë janë në rritje mundësitë për njohjen e Kosovës edhe nga vende të tjera.

Madje, ministri Meta tha se nuk do të jetë e largët edhe dita kur Serbia dhe Kosova të ulen, të bisedojnë dhe ta zgjidhin mes tyre këtë çështje, dhe Serbia të pranojë kështu realitetin e Kosovës shtet.

I pyetur mbi idenë e shprehur nga studiuesi kosovar Sabri Hamiti, mbi bashkimin administrativ në një shtet të vetëm, të Shqipërisë dhe Kosovës, ministri i Jashtëm, Ilir Meta u përgjigj: “Është më i rëndësishëm integrimi i përbashkët i Shqipërisë dhe Kosovës brenda institucioneve ndërkombëtare dhe Bashkimit Evropian”.

mit/NOA
KOMENTE